Punëtorë të pavarur të kulturës, artistë, organizatat e artit dhe kulturës dhe organizatat e shoqërisë civile kanë për mes një letre dërguar kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, kanë reaguar ndaj vendimit të Komunës së Prishtinës ndaj tjetërsimit të ish-bibliotekës Hivzi Sylejmani’.
Komuna e Prishtinës ka marrë vendim që zyrat e Drejtorisë së Kulturës të zhvendosen në ndërtesën ish-bibliotekës “Hivzi Sylejmani”, që sipas këtij grupi reagues ky vendim përveç që zvogëlon hapësirën për komunitetin, është precedentë i rrezikshëm.
“Përmes kësaj letre, kundërshtojmë vendimin e Komunës së Prishtinës për të zhvendosur zyret e Drejtorisë së Kulturës në ndërtesën e ish-‘Hivzi Sylejmani’, së fundmi e njohur si Qendra për Praktikë Narrative. Ky vendim, përveç që e zvogëlon hapësirën publike edhe ashtu të kufizuar në shërbim të komunitetit, ai poashtu paraqet një precedent të rrezikshëm i cili hap rrugë që edhe nivelet tjera qeveritare për çfarëdo nevoja t’i shndërrojnë hapësirat e pakta kulturore publike në zyre administrative. Andaj, kërkojmë anulimin e këtij vendimi dhe rikthimin e hapësirës në shërbim të komunitetit. Hapësirat e artit dhe kulturës janë të domosdoshme për nxitjen e kreativitetit dhe inovacionit, reflektimin kritik, ndërtimin e solidaritetit si dhe sfidimin dhe transformimin e pabarazive shoqërore. Për më tepër, hapësira e përbashkët është esenciale për zhvillim të organizimit komunitar, angazhimit qytetar dhe për një sferë publike demokratike. Institucionet shtetërore kanë mandat ta mbrojnë e ta zhvillojnë potencialin emancipues të artit, kulturës dhe shoqërisë civile”, thuhet në reagim.
Në letrën e tyre ata kanë paraqitur tri kërkesa ku njëra nga to është lirimi i hapësirës së ish-biliotekës.
“Lirimi i hapësirës së ish-bibliotekës “Hivzi Sylejmani” nga Drejtoria e Kulturës, si dhe organizimi i një procesi pjesëmarrës mbi qeverisjen e kësaj hapësire publike duke pasur parasysh kontekstin e shfrytëzimit të pronave komunale dhe rëndësisë së hapësirave kulturore;Ndërmarrja e një politike dhe praktike pozitive komunale ndaj shfrytëzimit të pronave të Komunës për nevoja të komunitetit, duke përkrahur në mënyrë institucionale dhe sistematike shfrytëzimin e hapësirave publike aktuale dhe rritjen e numrit dhe cilësisë së tyre; Angazhimi publik dhe institucional që politikat dhe ligjet qendrore për shfrytëzim të pronave komunale të jenë pozitive dhe mundësuese për realizimin e interesit publik”, thuhet në këresën e tyre.
Sipas tyre ky rast tregon për gjendjen e brishtë të menaxhimit të pronave të përbashkëta publike.
Poashtu ky grup i komunitetit artistik thotë se Komuna e Prishtinës e kë përgjegjësi të mbrojë krijimtarinë e pavarur të artit dhe kulturës.
“Komuna e Prishtinës ka përgjegjësi të përkrahë dhe mbrojë krijimtarinë e pavarur në art dhe kulturë dhe të ofrojë hapësirë për zhvillim të qëndrueshëm komunitar. Vendimi i fundit i Komunës është shpërfytyrim i këtij roli fisnik. Në vend se i gjithë ky investim t’i shërbejë komunitetit, ai është përvetësuar nga Komuna për nevojat burokratike të administratës. Për më tepër, konsiderojmë se ky veprim është keqkuptim i rolit të shtetit, në rastin më të mirë, dhe një përpjekje e rrezikshme për kontroll dhe nënshtrim të artit dhe kulturës, në rastin më të keq. Ky veprim shkon në kundërshtim me interesin publik dhe premtimet e tre viteve të fundit, thuhet ndër të tjera.
Letra e plotë:
Letër publike adresuar Kryetarit të Prishtinës, z. Përparim Rama, Drejtores së Drejtorisë së Kulturës, znj. Sibel Halimi dhe Anëtarëve të Kuvendit të Komunës së Prishtinës
Nga: Punëtorët e pavarur të kulturës, artistët, organizatat e artit dhe kulturës dhe organizatat e shoqërisë civile të poshtëshënuara
Shuarja e hapësirave publike të artit dhe kulturës:
Përvetësimi i ish-bibliotekës ‘Hivzi Sylejmani’ nga Komuna e Prishtinës
Përmes kësaj letre, kundërshtojmë vendimin e Komunës së Prishtinës për të zhvendosur zyret e Drejtorisë së Kulturës në ndërtesën e ish-‘Hivzi Sylejmani’, së fundmi e njohur si Qendra për Praktikë Narrative. Ky vendim, përveç që e zvogëlon hapësirën publike edhe ashtu të kufizuar në shërbim të komunitetit, ai poashtu paraqet një precedent të rrezikshëm i cili hap rrugë që edhe nivelet tjera qeveritare për çfarëdo nevoja t’i shndërrojnë hapësirat e pakta kulturore publike në zyre administrative. Andaj, kërkojmë anulimin e këtij vendimi dhe rikthimin e hapësirës në shërbim të komunitetit.
Hapësirat e artit dhe kulturës janë të domosdoshme për nxitjen e kreativitetit dhe inovacionit, reflektimin kritik, ndërtimin e solidaritetit si dhe sfidimin dhe transformimin e pabarazive shoqërore. Për më tepër, hapësira e përbashkët është esenciale për zhvillim të organizimit komunitar, angazhimit qytetar dhe për një sferë publike demokratike. Institucionet shtetërore kanë mandat ta mbrojnë e ta zhvillojnë potencialin emancipues të artit, kulturës dhe shoqërisë civile.
Rasti i ish-bibliotekës ‘Hivzi Sylejmani’ paraqet një ilustrim të përsosur se sa e brishtë është gjendja e menaxhimit të pronave të përbashkëta publike. Me ftesë nga Komuna e Prishtinës, kjo ndërtesë u adaptua në qendër të re kulturore në kuadër të Manifesta 14 Prishtina në vitin 2022. Transformimi i ish-bibliotekës u konceptua përmes një procesi pjesëmarrës me komunitetin me qëllim që t’i shërbejë komunitetit artistik dhe kulturor, komunitetit të lagjes, fëmijëve dhe prindërve, shkollave, si dhe shoqërisë civile në qytet. Ndërsa programi i saj ka ofruar hapësirë për mësim, reflektim, shkëmbim të aftësive, prodhim artistik, bashkë-krijim, tubim dhe organizim shoqëror. Hapësira e kësaj qendre u organizua në nëntë zona bashkëpunimi, duke përfshirë një bibliotekë me më shumë se 1000 libra, dhoma të specializuara si dhoma e printimit riso, dhoma e punës me dru dhe metal, dhoma e errët për zhvillimin e fotografive, dhoma e podcast-it, hapësira edukative Oaza, kopshti dhe hapësira e projeksioneve. E gjithë kjo ka kushtuar 850,000 Euro dhe 3 vjet mund e djersë nga punëtorët e vullnetarët. Ende nuk është e qartë se çka do të ndodhë me të gjitha këto asete dhe burime.
Komuna e Prishtinës ka përgjegjësi të përkrahë dhe mbrojë krijimtarinë e pavarur në art dhe kulturë dhe të ofrojë hapësirë për zhvillim të qëndrueshëm komunitar. Vendimi i fundit i Komunës është shpërfytyrim i këtij roli fisnik. Në vend se i gjithë ky investim t’i shërbejë komunitetit, ai është përvetësuar nga Komuna për nevojat burokratike të administratës. Për më tepër, konsiderojmë se ky veprim është keqkuptim i rolit të shtetit, në rastin më të mirë, dhe një përpjekje e rrezikshme për kontroll dhe nënshtrim të artit dhe kulturës, në rastin më të keq. Ky veprim shkon në kundërshtim me interesin publik dhe premtimet e tre viteve të fundit.
Për më tepër, zhvendosja ndodhi në mungesë totale të transparencës, informimit dhe konsultimit të komunitetit. Kjo mungesë e përgjegjësisë dhe llogaridhënies bëhet edhe më pak e pranueshme kur vjen pak kohë pasi që një numër i madh i artistëve, punëtorëve të kulturës dhe organizatave të shoqërisë civile shprehën gatishmëri për vizionim të përbashkët të zhvillimit kulturor në Prishtinë gjatë përpilimit të Strategjisë për Art dhe Kulturë. Në këto diskutime, ndër shqetësimet më të përsëritura ishte mungesa e hapësirave publike dhe burimeve (mjeteve, pajisjeve, hapësirave të punëtorive, hapësirave bashkëpunuese) për artistët, komunitete të ndryshme dhe punëtorët e artit dhe kulturës në qytet. Mospërfillja e zërit të komunitetit është një djegie e urës së lëkundur midis komunitetit dhe institucioneve.
Përvetësimi i ish-‘Hivzi Sylejmanit’ shpërfaq fatin e brishtë e të gjitha hapësirave publike në vend. Cenimi i njërës është gjithmonë cenimi i të gjithave përderisa nuk ndërtohet qëndrueshmëri për të mirën publike. Të metat e kornizës ligjore në nivel qendror dhe mungesa e planeve të menaxhimit ka bërë që në vazhdimësi pronat komunale të lihen në mëshirë të vullnetit të mirë të politikanëve apo të interesave të lëkundshme partiake. Kjo përkeqësohet tutje kur marrim parasysh që hapësirat publike janë tkurrur vazhdimisht nga privatizimi i egër dhe interesat e ngushta komericale dhe si rrjedhojë jeta kulturore zhvillohet në hapësira publike të cilat sot i numërojmë në gishta. Andaj, në mungesë të një strategjie efektive, Komuna duhet të jetë e vetëdijshme se me këto veprime të saja, të cilat në dukje na vijnë si burokratike e adminstrative, mund ta shuajnë edhe atë pak angazhim komunitar për çështje publike, përfshirë krijimtarinë e pavarur të artit dhe kulturës në tërësi.
Organizatat dhe aktivistët e shoqërisë civile nga e mbarë Kosova ka kohë që janë duke u angazhuar që çështja e shfrytëzimit të hapësirave publike të rregullohet në mënyrë sistematike dhe të qëndrueshme, nga niveli qendror dhe lokal. Kontributi i tyre thelbësor në hartimin e Koncept Dokumentit për shfrytëzim të pronave komunale dhe Projektligjit pasues është vetëm një nga format e këtij angazhimi, e që synon që hapësirat dhe pronat publike t’i vihen në shërbim komunitetit për zhvillim të qëndrueshëm social, kulturor, mjedisor dhe ekonomik. Deri në aprovimin dhe funksionalizimin e politikave dhe ligjeve përkatëse favorshme nga niveli qendror, kryeqyteti do të duhej të jepte shembull të praktikave dhe qasjeve pozitive në këtë drejtim, duke përmirësuar komunikimin dhe përkrahjen me shfrytëzuesit e atyre pak hapësirave publike që tashmë janë në dispozicion të komunitetit, si dhe duke e zgjeruar listën e hapësirave publike që jepen në shfrytëzim për këtë qëllim.
Kërkesat tona janë:
Lirimi i hapësirës së ish-bibliotekës “Hivzi Sylejmani” nga Drejtoria e Kulturës, si dhe organizimi i një procesi pjesëmarrës mbi qeverisjen e kësaj hapësire publike duke pasur parasysh kontekstin e shfrytëzimit të pronave komunale dhe rëndësisë së hapësirave kulturore;
Ndërmarrja e një politike dhe praktike pozitive komunale ndaj shfrytëzimit të pronave të Komunës për nevoja të komunitetit, duke përkrahur në mënyrë institucionale dhe sistematike shfrytëzimin e hapësirave publike aktuale dhe rritjen e numrit dhe cilësisë së tyre;
Angazhimi publik dhe institucional që politikat dhe ligjet qendrore për shfrytëzim të pronave komunale të jenë pozitive dhe mundësuese për realizimin e interesit publik.