Betimi i kryetarit të Zveçanit, Ilir Peci, atij të Zubin Potokut, Izmir Zeqiri dhe të parit të Leposaviqit, Lulzim Hetemi, ka bërë që situata në këto tri komuna veriore të jetë e tensionuar.
Që nga dita e premte, qytetarë të shumtë serbë kanë protestuar para këtyre tri objekteve komunale, teksa dje pati edhe sulme të dhunshme ndaj KFOR-it, si dhe ndaj gazetarëve, përcjell teve1.info
Gjatë protestave të dhunshme dje në tri komunat veriore, rreth 25 pjesëtarë të KFOR-it janë lënduar nga përleshja me protestuesit serb në Zveçan, kjo pasi serbët në këtë qytet kanë hedhur gurë në drejtim të trupave të KFOR-it, teksa KFOR-i iu është kundërpërgjigjur duke hedhur tym në drejtim të protestuesve.
Në mesin e të lënduarve të pjesëtarëve të KFOR-it janë 11 italianë, ku tre prej tyre është raportuar të jenë në gjendje të rëndë, por jashtë rrezikut për jetë. Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, pesë persona janë arrestuar.
Reagime për këtë pati nga NATO, Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermania e Franca. Nga NATO kanë bërë thirrje që dhuna të ndalet menjëherë dhe palët të angazhohen në dialog.
Kurse ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka kërkuar nga kryetarët e komunave veriore që mos të hyjnë me forcë në objektet komunale. Ai i ka ftuar kryetarët që t’i kryejnë detyrat e tyre, por jo të futen me forcë në objektet e komunave.
Teksa kryeministri i vendit, Albin Kurti ka deklaruar se situata në veri të Kosovës duhet të qetësohet dhe të zbatohet Marrëveshja Bazike e 27 shkurtit në Bruksel.
Ai po ashtu ka pritur në takim ambasadorët e QUINT-it, të cilët i kanë bërë thirrje që për një kohë, kryetarët në veri të mos punojnë nga zyret.
Ndërsa, sipas presidentes Vjosa Osmani, veriu është destabilizuar me urdhrin e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq. Siç ka thënë ajo, këto akte të dhunës duhet të dënohen nga të gjithë.
Edhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, është shprehur se mënyra e vetme për të zgjidhur situatën është dialogu dhe në mënyrë konstruktive. Cramon po ashtu ka bërë thirrje për të tërhequr Njësinë Speciale të Policisë së Kosovës nga veriu.
Një takim i përbashkët mes ambasadorit Hovenier, shefit të Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, si dhe me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Nicholas Abbott, me kryetarin e kryetarin e Zveçanit, Ilir Peci dhe atë të Zubin-Potokut, Izmir Zeqiri, është mbajtur, por pjesë e këtij takimi nuk ishin edhe Lulzim Hetimi, nga Komuna e Leposaviqit dhe Erden Atiq nga Mitrovica e Veriut, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.
Pas këtij takimi, Szunyog ka bërë të ditur se kanë kërkuar nga kryetarët e komunave veriore që të përmbahen dhe të mos bëjnë veprime që mund të përshkallëzojnë situatën në veri të vendit.
Në anën tjetër, edhe ekipe të shumta të gazetarëve u sulmuan, teksa veturës së Tëvë 1 në Zveçan iu vu edhe flaka. Gazetari i Tëvë 1, Valmir Gallopeni ka bërë të ditur dje se fillimisht veturës i janë thyer xhamat dhe i janë shpuar edhe të katër gomat. Sulme të tilla pati edhe ndaj mediave tjera.
Këto tensione kanë bërë që rreth 30 gazetarë shqiptarë dhe serbë të mbesin të ngujuar në një lokal në afërsi të objektit të komunës së Zveçanit.
Reagim ka pasur nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, duke i cilësuar si sjellje e patolerueshme, teksa i ka bërë thirrje edhe NATO-s dhe EULEX-it që të reagojnë sa më parë në mënyrë që gazetarët të raportojnë pa u rrezikuar.
Situata në veri është tensionuar që nga e premtja, si shenjë pakënaqësie nga serbët lokal pas betimit që kanë bërë kryetarët e komunave në Leposaviq, Zubin Potok, dhe Zveçan. /Teve1.info/