Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, ka drejtuar kritika ndaj Qeverisë Kurti, Ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe Zyrës së Rregullatorit për Energji.
Ai tha Qeveria Kurti për katër vjet mandat e rriti dy herë çmimin e energjisë për qytetarët dhe se riktheu gjendjen e para 20 vjeteve me reduktime.
“Është për të ardhur keq që edhe pse jemi në vitin 2024, që Kosova e ka krejt nëntokën e ka plot me qymyr, të flasim për reduktime, për cmime të larta të energjisë dhe probleme tjera që lidhen me energjinë. Kemi një qeveri që ka lanë anash sektorin e energjisë, nuk ka asnjë strategji dhe as veprime për ringjalljen e sektorit…Një Qeveri që u pagoi serbëve 115 milionë euro rrymë në kurriz të qytetarëve shtetas të Kosovës. Një qeveri që dy herë bëri rritjen e çmimit të energjisë për qytetarët. Një qeveri e cila nga katër vite në pushtet, riktheu gjendjen e para 20 vjetëve me reduktime me muaj të tërë”, tha Lekaj, raporton EO.
Ai kritikoi edhe Ministren Rizvanolli, për të cilën tha se nuk di që ka ndonjë sukses gjatë tërë mandatit.
“Kemi një ministre të Ekonomisë që nuk e di as një sukses apo projekt që e ka nisur apo përmbyllur për tërë mandatin katër vjeçar. Një ministre që asnjëherë nuk ka hyrë në miniera për të vizituar punëtorët e Trepçës që punojnë 800 metra nën tokë. Një ministre që me gjasë këmba e saj s’ka shkelur asnjëherë në oborrin e termocentraleve. Një ministre e cila bllokoi sistemin duke lënë në grevë urie mbi 1 mijë punëtorë të Trepçës”, tha Lekaj.
Kritika pati edhe për Zyrën e Rregullatorit për Energji.
“Kemi një ZRRE e cila me ligj e ka obligim të mbrojë interesin e qytetarëve dhe institucioneve, e jo të bëj të kundërtën tani e disa vite. Një ZRRE e cila udhëhiqet nga njerëz të cilët më herët e kanë përkrahur pushtetin e tanishëm dhe tani punojnë në bashkëpunim dhe koordinim me shumicën parlamenatare”, tha Lekaj.