Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka mbajtur tubim në Junik, aty ku u premtua se do të vazhdohet me investime për përmirësim të jetës së qytetarëve. Kandidati i LDK-së për Junikun, Ruzhdi Shehu tha se gjatë qeverisjes së tij është ndërtuar çerdhja e parë për fëmijët dhe se rruga Junik-Gjeravicë, për të cilën u shpreh se u premtua nga të tjerët për tri mandate, është në përfundim.
Në tubimin me qytetarët e Junikut, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku tha se për katër vitet e ardhshme, partia që ai udhëheq ka vizion të qartë për këtë komunë.
“Sonte nuk është një natë e zakonshme, sonte është nata e Junikut, sonte është nata e nisjes së fitores së re, shpresës dhe vet krenarisë, sepse Juniku ka ditur të zgjedh gjithmonë me zemër, ka ditur të zgjedh gjithmonë me mendje, ka ditur gjithmonë të zgjedh me besim tek Lidhja Demokratike e Kosovës. Katër vite më parë ky qytet i dha LDK-së besimin, i dha LDK-së mandatin, i dha LDK-së nderin të udhëheq dhe ne nuk zhgënjyem, sot jemi këtu që t’i japim vazhdim këtij besimi që të vazhdojmë punën e nisur që ta çojmë Junikun më përpara, në krye të këtij rrugëtimi është veç një emër, një njeri që të gjithë e njihni, gjithë e respektoni, të gjithë e keni pranë vetës çdo ditë, është kryetari juaj, është kandidati ynë, është njeriu i LDK-së, kryetari Ruzhdi Shehu”, deklaroi Abdixhiku.
Abdixhiku tha nëse LDK merr besimin sërish në Junik do vazhdohen projektet e nisura dhe se do të thellohen investimet në infrastrukturë, duke siguruar ndriçim e ujë të pijshëm.
“Për ne Ruzhdi Shehu nuk është thjesht një emër në listën e gjatë të kandidatëve, ai është simbol i qeverisjes së ndershme, është udhëheqësi që e njeh çdo rrugë, çdo hall të këtij qyteti, që i di problemet e secilës familje, secilës lagje, që ka qenë pranë çdo qytetari të Junikut. Ruzhdi Shehu është kryetar i punës, i fjalës së mbajtur, i besës së dhënë. Katër vite më parë ai premtoi se do të punonte për Junikun dhe sot çdo investim, çdo hapësirë publike, çdo projekt i përfunduar është dëshmi faqebardhë e këtij premtimi”, shtoi ai.
Kryetari i Junikut, Ruzhdi Shehu tha se janë në përfundim të rrugës Junik-Gjeravicë, për çka shtoi se kjo është pasuria më e madhe natyrore që e ka Juniku.
Në tubimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në këtë komunë, ai tha se ndërtimi i kësaj rruge është premtuar nga pushteti i kaluar në tri mandate, por që nuk është realizuar.
“Për shkak të parimeve etike ne asnjëherë nuk merremi me palët kundërshtare, sepse i gjithë fokusi ynë është për të punuar për komunën e Junikut, pa afera, pa skandale por me punë dhe rezultate konkrete që shihet, preken dhe flasin vet. Mirëpo, kur jemi te rruga Junik-Gjeravicë, më lejoni që të sqarojë diçka për publikun e gjerë, sot kur ne jemi në përfundim e sipër të këtij projekti, të tjerët po mundohen që të marrin një pjesë të meritave të punës tonë. Me shumë respekt, më lejoni që të ju rikujtojë se qeverisja e kaluar e mbi 12 viteve në Junik, në çdo palë zgjedhje ka premtuar që do të ndërtohet rruga Junik-Gjeravicë, në mandatin e tyre të parë ata kanë premtuar, junikasit i kanë premtuar dhe ata nuk e kanë realizuar. Ngjashëm ka ndodhur edhe me mandatin e dytë të tyre, pastaj edhe në mandatin e tyre të tretë. Këtë projekt që të tjerët e kanë premtuar tri mandate, ne po e realizojmë vetëm për një mandat”, deklaroi ai.
Shehu i cili është kandidat për kryetar të Junikut tha para simpatizantëve që “kam qeverisur pa asnjë skandal apo aferë”.
“Për herë të parë në Junik është ndërtuar edhe një çerdhe e fëmijëve. Më në fund, në vitin 2025, çerek shekulli i pasluftës edhe fëmijët e Junikut mund të shkojnë në çerdhe ku do të fillojnë rrugëtimin e tyre edukativo-arsimor, por njëkohësisht, nënat në veçanti do të kenë mundësi që të themelojnë marrëdhënie të punës, pasi që fëmijët gjatë ditës do të jenë të sigurt me çerdhen që ne e kemi ndërtuar gjatë mandatit tonë të parë”, u shpreh ai.
Para junikasve ai ka kërkuar besimin e qytetarëve, duke premtuar një sërë investimesh në komunë.
“Sheshi i ri [do të ndërtohet] një investim prej 9 milionë eurosh që do të bëhet zemra e jetës kulturore, sociale dhe ekonomike për qytetarët e Junikut. Ndërtimi i rrjetit të energjisë elektrike në bjeshkët e Junikut, ri-konstruimi i shtratit të lumit Erenik që do të mbrojë qytetin nga përmbytjet dhe do ta shndërrojë qytetin tonë në një atraksion turistik. Funksionalizimi i qendrës inovative, multifunksionale, shtëpinë e kulturës. Ndërtimin e fushës së sportit në shkollën fillore dhe të mesme të ulët ‘Edmond Hoxha’, ndërtimin e fushës së hapur dhe këndin e lojërave në lagjen ‘Berishë’, ndërtimin e bazenin gjysmë-olimpik dhe banesës moderne për të rinjtë”, deklaroi Shehu.
Zgjedhjet lokale në gjithë vendin do të mbahen më 12 tetor.