Lidhja Demokratike e Kosovës përmes një konferencë për media në Ditën e Grave, ka thënë se gratë në Kosovë ballafaqohen me dy probleme themelore.
E para është rritja e dhunës ndaj grave dhe e vrasjes së tyre, që sipas LDK-së shteti nuk ka ndërmarrë asnjë masë imediate dhe nuk ka rritur sigurinë pas ngjarjeve të tilla.
“Shqetësimi jonë i parë është niveli i lartë i dhunës. Kemi parë një përshkallëzim të numrave, rritje të rasteve të dhunës në familje posaçërisht në vitet e fundit dhe një trend të rritjes së dhunës në familje dhe vrasjes ndaj grave. Kjo është një situatë që kërkon një ndërhyrje imediate të sistemit të drejtësisë, të rendit dhe ligjit dhe politika adekuate që e shpallin dhunën në familje si të patolerueshme”, ka deklaruar Jehona Lushaku-Sadriu, kryetare e Forumit të Gruas në LDK.
“Nga vitit 2021 nga 1986 viktima gra në familje, kemi pasë dy të vrara ndërkohë që në 2022 ka pasur rritje në 2055 dhe tri gra të vrara. Asnjë masë të ndërmarrë imediate, asnjë rritje të sigurisë në institucione publike. Po e marr vetëm shembullin e rastit të vrasjes në oborrin e QKU-së. Unë dje isha aty dhe pa asnjë masë të sigurisë ekstra arrita të hyjë në lokale brenda pa u pyetur se kush jam dhe kjo flet shumë që shteti nuk i ka nxjerrë mësimet që të marrë masa konkrete për adresimin e vrasjeve”
“Vrasja duhet të jetë emergjencë, kërkon politika emergjente nga shteti jonë dhe të gjitha institucionet gjyqësore, policore por edhe politike. Tekefundit edhe ne si shoqëri duhet të marrim përgjegjësitë tona për të evokuar çështje kundër dhunës që i kontribuojnë kauzës që dhuna mos të jetë pjesë e kulturës tonë si shoqëri”, ka deklaruar ajo, transmeton teve1.info.
Problemi tjetër sipas Lushaku-Sadriut është pjesëmarrja e ulët e grave në tregun e punës. Ajo ka thënë se 20 % të grave paguhen më pak për punën e njëjtë që bëjnë me burrat, teksa ka rekomanduar që të rritet numri i çerdheve.
“Shqetësimi i dytë është niveli i ulët i pjesëmarrjes së grave në tregun e punës. Ne mendojmë që rritja e pjesëmarrjes së grave në tregun e punës do t’i ndihmonte gratë që të pavarësoheshin dhe do të kontribuonte që të pavarësoheshin dhe në rritjen e nivelit të të drejtave të grave në Kosovë. Vetëm 16 % e grave në Kosovë janë aktive në tregun e punës. Kjo flet shumë për një diskrepancë nga 45 % që janë burra që janë aktiv në tregun e punës dhe kjo flet për politikat joadekuatë të shtetit tonë”.
“Në dy vitet e fundit kemi qenë dëshmitarë të mosndërhyrjes së shtetit në kuptimin e prodhimit të politikave adekuate për ta adresuar këtë çështje Ka pasur premtime që do të bëhen edhe ndryshime ligjore për ta adresuar çështjen e pagesës për punën e njëjtë. Ua them që 20 % gratë janë të diskriminuara, të papaguara njëjtë në raport me burrat. 20 % paguhen më pak për punën e njëjtë që e bëjnë. Kjo e kërkon një adresim, një politikë të menjëhershme nga ana e Qeverisë dhe një ndërhyrje edhe në aspekte të tjera që do ta rritnin këtë pjesëmarrje.”
“Rritja e numrit të çerdheve do të përmirësonte skajshmërisht gjendjen dhe dëshirën e grave për t’u punësuar”, ka deklaruar ajo në një konferencë për shtyp.