Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia së bashku me drejtorin e IKSHPK-së, Naser Ramadani dhe përfaqësues të Bankës Zhvillimore të Këshillit të Evropës, vizituan depon e re qendrore të vaksinave për Kosovën.
Ministri tha se tani e tutje kjo depo, që kishte shërbyer për ruajtjen e vaksinave anti-Covid, do të shërbejë për ruajtjen e vaksinave në përgjithësi.
“Ministri Vitia theksoi se ky investim me mbështetje të USAID, në vlerë të 1.3 milionë dollarëve, ka qenë i një rëndësie thelbësore në periudhën e pandemisë COVID-19 dhe tani do të shërbejë për ruajtjen e vaksinave në përgjithësi, pasi që shkalla e vaksinimit në Republikën e Kosovës, fatmirësisht, është e lartë krahasuar me shtetet e tjera”, thuhet në njoftimin e MSh-së.
Në këtë depo janë të instaluar dhomat e ftohta, dhomat e ngrirjes, frigoriferët ultra-ngrirës me kapacitet prej 600 litrash, si dhe pjesa e thatë me sipërfaqe prej 575 m2 për magazinimin e artikujve shpenzues.