Senati i Universitetit të Prishtinës ka vendosur që ta suspendojë nga puna profesorin në Fakultetin Filologjik, Bekim Bejta.
Kështu bën të ditur Lëvizja studentore “Studim Kritikë Veprim”, përcjell teve1.info
Sipas tyre, Bejta është suspenduar në një afat kohor prej gjashtë muajsh.
“Të nderuar studentë, sot me shumicë votash për, Bekim Bejta u suspendua nga Universiteti i Prishtinës për 6 muaj. Pikërisht në 13 vjetorin e themelimit të SKV-së, studentët senatorë nga radhët e lëvizjes sonë studentore votuan për suspendimin e Bejtës. Mbi kërcënimet, kanosjet e fyerjet e Bejtës fitoi vullneti i studentëve kundër shtypjes.Edhe këtë herë u dëshmua se roli i studentëve në parandalimin dhe luftimin e shkeljeve dhe padrejtësive është jetik në ndërtimin e një Universiteti të mirëfillt”, thuhet në njoftimin e tyre.
Një protestë ishte paraparë të mbahej sot nga ora 11:00, nga Lëvizja Feministre Studentore në Fakultetin e Filologjisë, për përjashtimin e Bejtës nga UP-ja.
Bejta dyshohet për dhunë dhe shantazh ndaj studentëve të këtij fakulteti.
Profesori i cili është i angazhuar mbi 15 vjet në UP, është dënuar për herë të parë nga Këshilli i Etikës, në korrik të vitit të shkuar, pasi një studente e raportoi atë për ushtrim të dhunës psikologjike e përdorim të gjuhës denigruese. /Teve1.info/