E pavarësisht që është e rregulluar me ligj që Prishtina ta ketë policinë komunale, deri me tani kryeqyteti dhe Policia e Kosovës nuk e kanë formuar drejtorinë që do ta mundësonte këtë.
Po bëjnë patrullim të zakonshëm në sheshin e Prishtinës.
Por, sipas ligjit për kryeqytetin, këtë detyrë, duhet ta kryej një polici tjetër.
Në ligjin për Prishtinën, parashihet që kryeqyteti ta ketë policinë e vet komunale.
“Policia themelon Drejtorinë e Policisë për Kryeqytetin, organizimi dhe funksionimi i së cilës rregullohet me Ligjin për Policinë, e cila do të ketë kompetencë vetëm në territorin e Kryeqytetit”, thuhet në nenin 7 të Ligjit për Prishtinën.
Por, ani pse kjo çështje është e rregulluar me ligj, Prishtinës vazhdon t’i mungojë një forcë që do ta mbante rendin komunal.
E ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, ka treguar arsyet se pse kjo drejtori nuk po formohet.
“Ligji si tillë, duhet të ndryshohet, të plotësohet, mos të kërkohet që policia e Kosovës të formojë një drejtori në kuadër të strukturës organizatave të saj, për shkak se PK e ka Drejtorinë Rajonale të Prishtinës, duhet me gjete një modalitet tjetër, në mënyrë që edhe Prishtina të ketë Policinë Komunale, në të njëjtën kohë të mos ketë ndikim në strukturën organizative të PK”, tha Qalaj.
Sipas Qalajt, krijimi i një policie që merret me hallet e kryeqytetit, do ta ndihmonte edhe vet Policinë e Kosovës.
“Nëse policia e këtyre stacioneve policore, lirohet nga detyrat që janë, asistime të ndryshme qoftë inspektorëve komunal apo inspektorëve të tjerë, apo institucioneve të tjera, ndeshjeve sportive, atëherë do të kishin kry punë me të vërtetë policore”, shtoi ai.
Se Prishtina ka nevojë për policinë e saj, e thotë edhe eksperti i sigurisë, Bedri Elezi.
“Policitë lokale, policitë e qyteteve, janë strukture që e ndihmon shumë qytetin në fjale, sepse kanë raporte të drejtpërdrejta me qytetarët, njohin problemet e veçanta që mund të mos hasen nga struktura tjetër policore”, tha Elezi.
Ndërkohë përgjigje për këtë temë, ka vazhduar të mos jap Komuna e Prishtinës.
Raporti i gazetarit Fidan Zejnullahu.