Teksa në seancat plenare pati mbi 1700 mungesa, çka ndikoi që seancat të dështonin në mungesë të kuorumit. Kronika në vazhdim sjell një përmbledhje të punës së Kuvendit për vitin 2022.
Të zgjedhur me votën e qytetarëve, deputetët e Kuvendit në seanca shqyrtojnë e miratojnë projektligje, debatojnë dhe marrin vendime që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve.
Por personat që e ushtrojnë pushtetin legjislativ në Kosovë, jo rrallëhërë kanë debate të ashpra.
Puna e tyre edhe në vitin 2022 u dominua nga akuza e kundërakuza, ofendime, e etiketime të ndryshme.
Për shkak se së bashku me koleget e LDK-së votoi kundër një marrëveshjeje ndërkombëtare, Dimal Basha i Vetëvendosjes i shkoi te ulësja e tij deputetit Arben Gashi.
E njëra prej seancave më të nxehta pa dyshim u zhvillua në fund të prillit.
Kur ministrja e drejtësisë Albulena Haxhiu po fliste për dyshimet ndaj ambasadorit Martin Berishaj për shpërlarje parash, ajo tha se më mirë ishte t’i besohet raportit të Freedom House se Hashim Thaçi e Kadri Veseli janë të lidhur me korrupsion, sesa raportimeve të mediave sllovene për Berishajn. Në këtë moment ajo u ndërpre nga PDK – ja.
Kur e mori fjalën deputeti Abelard Tahiri, me të njëjtën monedhë ia kthyen deputetët e pushtetit. Ai më pastaj reagoi ashpër, duke sharë.
Tahiri u bë problematik edhe 7 ditë më pas. Ai përplasi kutinë e votimit për të kundërshtuar zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, pasi opozita kërkonte të vazhdohej me një seancë tjetër.
Mbarëvajtjen e kësaj seance vazhdimisht e pengonte edhe kolegu i Tahirit, Mërgim Lushtaku.
Në një seancë pak ditë më pas kur po debatohej për mospërfshirjen e veteranëve të luftës së UÇK-së, në projektligjin për pagën minimale, Hisen Berisha i reagoi ashpër Haki Abazit i cili paraprakisht i kishte thënë se ishte PDK-ja që i kishte lënë nën kushte të vështira kategoritë e dala nga lufta.
Përplasje Abazi – Berisha, pati edhe tjera herë. Në njërin rast u bën edhe manipulime emrash e mbiemrash.
Qershori ishte muaj i nxehtë, jo vetëm për shkak të temperaturave por edhe debateve që kryesisht bëheshin për luftën e për mospërfshirjen e organizatave të dalura nga lufta në projektligjin për pagën minimale.
Kështu përderisa këto kategori po protestonin jashtë për shkak të mospërfshirjes në projektligjin për pagën minimale, Abelard Tahiri i PDK-së brenda seancës hoqi mikrofonin e atë e përcollën edhe kolegët e partisë.
Në nivelin e lartë politik përplasjet më të mëdha ishin mes kryeministrit Albin Kurti dhe liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj.
Kështu në një seancë të shkurtit, Kurti ia pati përmendur një situatë Haradinajt që kishte ndodhur në vitin 2014 kur funksiononte koalicioni VLAN.
Duke folur në një seancë për shtyrjen e zbatimit të reciprocitetit me Serbinë, Haradinaj e kishte quajtur Kurtin “Good guy”, por jo në një kuptim pozitiv.
Përveç kësaj Haradinaj shkoi edhe pak më larg.
Këtyre pretendimeve nuk iu la pa iu përgjigjur kryeministri Kurti.
Kurti pati debate të ashpra edhe me deputetë të tjerë të opozitës si në këtë rast me Bekim Haxhiun e PDK-së.
Tensione pushtet-opozitë pati edhe në një rast kur zv/kryeministri Bislimi pretendoi se u kërcënua nga Abelard Tahiri i PDK-së.
Larg me gjuhën e tij shkoi edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili teksa po fliste për inflacionin i kërkoi kryeministrit Kurti ta lidhte zëvendësin e tij, Bislimi.
Por Abdixhiku nuk ngurroi të krijonte as atmosferë relaksuese me deklaratat e tij. Në një rast ai kishte cituar pjesë nga një këngë e reperit Ledri Vula.
E në një seancë tjetër kreu i LDK-së përmendi edhe vargje nga një poezi e shkrimtarit Azem Shkreli.
Megjithatë ai që më së shpeshti e relaksonte situatën në Kuvend ishte kryeparlamentari Glauk Konjufca.
Kështu për t’ia uruar ditëlindjen deputetes Ganimete Musliu, ai ndërpreu një fjalim të bashkëpartiakes, Albulena Haxhiut.
I pari i Kuvendit shkaktoi të qeshura edhe pas një fjalimi të deputetit të AAK-së, Pal Lekajt.
Ai e relaksoi situatën edhe në një moment pasi Besnik Tahiri i AAK-së vendosi në një seancë pankarta me mbishkrimin “Ku është Ligji i Pagave”.
Përgjatë 2022-ës u miratuan projektligje të ndryshme, disa u kryen vetëm në gjysmë, e pati të tilla që pas miratimit u dërguan për interpretim në Gjykatën Kushtetuese.
Në mbi 100 seanca sipas Institutit Demokratik të Kosovës, Kuvendi ka miratuar 111 projektligje apo 69% të projektligjeve të cilat i janë sjellë për shqyrtim. 50 projektligje ende ndodhen në procedurë të shqyrtimit. Për shkak të mbi 1700 mungesave të deputetëve vetëm në seancat plenare, ato në disa raste kanë dështuar në mungesë të kuorumit.
Deputetët miratuan edhe Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Kosovës për vitin 2023, buxheti më i lartë në historinë e vendit që kap shumën e 3.2 miliardë eurosh.
Parlamentarët pa mbështetjen e opozitës i dhanë po ashtu dritën e gjelbër Projektligjit për Paga, një projektligj i pritur që tri vjet që kur Gjykata Kushtetuese kishte vendosur masë të përkohshme ndaj projektligjit të miratuar në Qeverinë Haradinaj.
Dokumenti i cili parasheh rritje të pagës minimale, nuk parasheh lidhjen e saj me pensionin e veteranëve të luftës. Ai kaloi vetëm në lexim të parë, megjithatë për ta kundërshtuar këtë pati edhe protesta të ashpra nga kategoritë e dala nga lufta.
Parlamentarët kaluan edhe Projektligjin për Zyrtarët Publik. Përveç se opozita nuk e votoi, atë e dërgoi edhe në Gjykatën Kushtetuese për vlerësim të kushtetutshmërisë. Kritika për të bën edhe nga Bashkimi Evropian.
Në seancat e vitit 2022 u trajtuan edhe disa ligje që hyjnë në kuadër të reformës në drejtësi.
Parlamentarët kaluan në korrik në lexim të parë projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, pavarësisht 30 rekomandimeve të Komisionit të Venecias. Pasi projektligji u dërgua për herë të dytë në këtë komision me ndryshime, më 17 dhjetor ministrja bëri të ditur se komisioni i ka miratuar këto ndryshime.
Sa i përket vettingut, në fund të këtij viti u formua një Komision Ad-Hoc parlamentar, i cili do të shqyrtojë projektligjin për vettingun në sistemin e drejtësisë.
Politikanët po ashtu iniciuan nisma legjislative me qëllim luftën kundër inflacionit.
Kuvendi miratoi në lexim të parë Projektligjin për masë të përkohshme të produkteve themelore që do të aplikohet në raste të veçanta të destabilizimit në treg. Projektligj parasheh që disa produkteve t’iu vendoset çmimi tavan dhe të caktohet marzha e fitimit për shitësit.
Kuvendi ka miratuar në lexim të dytë Projektligjin për Qeverinë e Kosovës, atë për financimin e subjekteve politike teksa pas 10 vjetës u miratua edhe Rregullorja e re e Kuvendit.
Megjithatë parlamentarët nuk ia dhanë dritën jeshile nismës për tërheqjen e deri në 30 % të kursimeve pensionale dhe projektkodit civil, e këtë të fundit s’e votuan kryesisht për shkak të nenit që rregullonte martesat mes seksit të njëjtë.
Për vitin 2022 Kuvendi i ka përmbyllur punimet më 23 dhjetor teksa do të rikthehet me seancë plenare më 16 janar.
Kronika e gazetarit, Gojart Jashari