Përmes një statusi në Facebook, Krasniqi ka shkruar se duke qëndruar me banorët e Skenderajt, thirrja e tij shkon për Qeverinë e Kosovës që të reagoj konform situatës së krijuar.
“Në Skenderaj, bashkë me Kryetarin Fadil Nura dhe Nënkryetarin Sami Lushtaku, vizitova lokacionet të cilat janë prekur më shumë nga vërshimet dhe përmbytjet e ditës së djeshme.
Fatkeqësisht, dëmet janë të mëdha. Fatmirësisht, humbje në njerëz nuk ka.
Prandaj, Kryetarin Nura dhe të gjithë zyrtarët komunalë i përgëzova për reagim efikas dhe dinjitoz, brenda mundësive dhe kapaciteteve të tyre, por, mbi të gjitha, që në këtë ditë të vështirë mobilizoi dhe bashkoi të gjithë qytetarët në ndihmë të njëri-tjetrit.
Duke qëndruar pranë secilit qytetar të Skenderajt në këto momente sfide për ta, thirrja jonë emergjente shkon edhe një herë për Qeverinë e Republikës së Kosovës”, ka shkruar ndër të tjera Krasniqi.
Ai ka uruar që sa më parë situata t’i rikthehet normalitetit dhe banorët e Skenderajt të rikthehen në shtëpitë e tyre.