Sipas Imerit, fokusi kryesor nuk duhet të jetë tek çështja e targave, pasi siç tha ai, ndërkombëtarët kanë kërkuar që së pari të formohet Asociacionit i komunave me shumicë serbe.
“Kosova edhe më herët ka negociuar për çështjen e targave, por fatkeqësisht as atëherë e as në të ardhmen nuk mund të zbatohet marrëveshja për targat. Ne po e vendosim fokusin te targat, por e kemi pasur një trysni ndërkombëtare për nisjen e draftimit të Statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Por, pasi që fokusi ka mbetur te targat, Kosova duhet të lëshojë pe, mirëpo në kuptimin që do të pozicionohet politikisht që eventualisht mund të shtyjë idenë e nisjes së këtij drafti”, theksoi Imeri në emisionin “Këndi i Debatit”.
Më tej, Imeri tha se nga marrëveshja e ardhshme potenciale që mund të arrihet sot apo eventualisht nesër, duhet të bëhet një timing i ri për fillimin e diskutimit të planit franko-gjerman.
Gjithashtu, ai shtoi se situata mes Kosovës dhe Serbisë mundtë eskalojë në çdo moment.
As sot nuk ka nisur shqiptimi i gjobave për qytetarët serbë që nuk kanë ndërruar targat ilegale në RKS. Kjo pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për ta shtyrë vendimin për 48 orë, me kërkesë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Kërkesën e paraqitur mbrëmë nga ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier e ka pranuar kryeministri Albin Kurti, i cili ka thënë se është i lumtur të punojë me SHBA-në dhe BE-në për të gjetur një zgjidhje gjatë dy ditëve të ardhshme./teve1.info./