“Prokurori kujdestar nga Departamenti i Krimeve të Rënda, bashkë me njësitë relevante kanë dalë në vendin e ngjarjes, me ç’ rast kanë ndërmarrë veprimet hetimore, si dhe në vendin e ngjarjes është sekuestruar sëpata me të cilën dyshohet se është kryer vepra penale, ndërsa me urdhër të prokurorit është dërguar për obduksion trupi i pa jetë”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.
Sipas Prokurorisë, aktualisht nga hetimet fillestare nuk dihet motivi i kryerjes së këtij akti, derisa Prokurori i Shtetit, brenda afatit ligjor do të ushtrojë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit, si dhe në koordinim me policinë do të vazhdojë ndërmarrja e veprimeve hetimore për t’i sqaruar në plotni rrethanat e këtij rasti.
Vrasjen e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë, Agron Borovci i cili ka bërë të ditur për teve1.info se një 70-vjeçar dyshohet se ka vrarë një grua 63-vjeçare.
“Sot rreth orës 04:40 kemi pranuar informatën për një trup të pajetë në një shtëpi në rrugën “Mark Isaku” në Prishtinë. Bazuar në hetimin preliminar si dhe ekzaminimin e vendit të ngjarjes me urdhër të prokurorit të shtetit, rasti është cilësuar vrasje e rëndë”, tha ai.
Borovci bëri të ditur se i dyshuari I.G. është vetëdorëzuar dhe është dërguar në qendrën e ndalimit, ndërsa trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion. /Teve1.info/