“U kanë shumë e rëndë, shumë e rëndë ka qenë…’’
Kështu e përjetoi lajmin për vrasjen e babait dhe tre vëllezërve, Zymer Morina i cili në kohën e luftës jetonte në kurbet.
“Është kanë problem se edhe nga larg nuk i kishim krejt informatat e sakta, dmth ka qenë shumë e vështirë edhe me akceptu si lajm, e kemi ditë që po zhvillohet luftë, por befasuese ka qenë më së shumti tek fëmija”, tha Morina.
Por ndonëse kanë kaluar 24 vite nga vrasja e katër anëtarëve të kësaj familjeje, ende nuk ka një përgjigje për dënimin e dorasve.
“Si rast, i ka diku 20-25 dëshmitarë të gjallë që e dinë kush e ka sulmu familjen tonë. E kanë përfundu punën e vet, e kanë kompletu dokumentacionin e kanë bo t’gatshëm për ni akuzë, por kjo po mungon, sot e asaj dite mungon. Dmth janë bo qe 23 vite kanë shku, është shqetësuese kjo a e din, mos me pasë kurrfarë përgjigje, kurrfarë”, shtoi ai.
Por si ndodhi vrasja e Fejzullahut, Lavdimit, Fidaim e Shkëlzen Morinës?
“Veç e kam ni niher krismën e automatit edhe unë për veti jam ik, kur jena kthy në mëngjes me ni djal t’mixhës, me Hakifin jena shku me kqyr atje kena pa veç ishin kon t’kallt, veç si cunga ishin metë”, tha Salih Morina.
E mësuesi Sabri Gërvalla kujton momentet me nxënësin Shkëlzenin.
“Ka qenë nxënës i mirë edhe e kemi thirrë, shoqëria e kanë thirrë mjek, doktor, se ju thoshte shumë sene nxënësve, ju thoshte duhet të bëhet me këta edhe këta, Shkëlzeni”, tregon Gërvalla.
Në këtë përvjetor, sakrificën e kësaj familjeje e kujtoi edhe kryetari i komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi.
“Familja Morina e ka sot një ditë më të veçantë se i mungojnë në sofrën e bukës më të dashurit e tyre. Po falë tyre e shumë të tjerëve ne sot po e gëzojmë lirinë”, tha Gaxhi.
Fejzullah Morina ra dëshmor në moshën 59 vjeçare, ndërsa djemtë e tij, Lavdimi 25 vjeçar, Fidaimi 14 vjeçar dhe Shkëlzeni 11 vjeçar.
Kronika e gazetares Albiona Hajdari.