Ditën e dytë të vizitës në Kosovë, emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak takoi partitë opozitare për të parë qëndrimet e tyre rreth planit evropian për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ai u shpreh optimist se këto të fundit nuk do ta kundërshtojnë një marrëveshje të tillë, të cilën kryeministri, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq e pranuan më 27 shkurt në Bruksel.
“I informova për procesin, për pritjet e komunitetit ndërkombëtar. Ata shpjeguan qëndrimet e partive të tyre. Pra, e gjitha është pjesë e përgatitjeve për takimin e 18 marsit dhe është shumë e rëndësishme që ata të dëgjojnë nga unë, jo vetëm nga mediat apo në Parlament. Prandaj, për mua këto takime kanë përmbushur qëllimin”, deklaroi Lajçak.
Nga Partia Demokratike e Kosovës thanë se nuk kanë ndryshuar qëndrimet karshi kësaj, pasi marrëveshja nuk ka në qendër njohjen reciproke por formimin e Asociacionit.
“Sot nuk kemi një marrëveshje gjithëpërfshirëse, sot nuk kemi një marrëveshje finale, sot ne nuk kemi njohje të ndërsjellë, sot kemi një marrëveshje të përkohshme, kemi Asociacionin të cilin ne nuk e kundërshtojmë, sepse nuk e kemi kundërshtuar as më herët, por kemi nene të caktuara në marrëveshjen që rrezikojnë të shkojnë përtej Asociacionit e përtej Kushtetutës së Kosovës”, tha kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.
Kurse, partia tjetër opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës rikonfirmuan qëndrimin e tyre pro këtij plani.
“Kosova është në një moment të rëndësishëm dhe mund të ecë përpara me një marrëveshje që është propozuar. Do të ketë punë edhe në vazhdimësi, por në rrethanat që gjendemi sot, mendojmë se është e vlefshme. AAK mendon se ka të arritura serioze në këtë dokument, e kuptojmë se nuk është njohja de jure e Kosovës në të, por e kuptojmë se marrëveshja përmban elemente që i krijojnë marrëdhënie të reja në rajon, sidomos mes Kosovës dhe Serbisë, krijon rrethana që e nxjerrin Kosovën në situatë krejt të tjera”, u shpreh nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini.
Ai u shpreh se do ta votojnë nëse një marrëveshje e tillë do të jetë në Kuvend.
Kurse, Lidhja Demokratike theksoi se mbështesin dialogun me njohje të ndërsjellë dhe se mbështet implementimin e të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara në këtë proces.
“LDK-ja përsërit se Kosovës i duhet një marrëveshje e përqendruar te njohja e ndërsjellë dhe se asnjë marrëveshje tjetër nuk garanton normalizim të marrëdhënieve Kosovë – Serbi. Heqja dorë nga njohja është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e kryeministrit Kurti dhe e institucioneve të tjera kushtetuese të Kosovës”, thuhet në qëndrimin e LDK-së.
Ndryshe, të premten Lajçak është nisur për në Beograd ku do të ketë takime dy ditëshe me presidentin serb, Vuçiq.
Kronika e gazetarit Lindrit Zejnullahu.