Në këtë sallë merren vendime të rëndësishme.
Madje shpeshherë këtu zgjidhen edhe nyjet më të vështira politike në vend.
Krejt kjo nga 9 gjyqtarë të propozuar nga Presidenca dhe të miratuar nga Kuvendi i Kosovës.
Salla ku 9 gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese mblidhen për të nxjerrë një aktgjykim për rastet që lidhen me interpretimin dhe zbatimin e Kushtetutës. E në vitet e fundit, partitë politike kanë kërkuar disa herë interpretimin e kësaj gjykate për ta nxjerrë vendin nga krizat e ndryshme politike”
E të mërkurën Gjykata Kushtetuese, hapi dyert e saj.
Objektin ku interpretohet Kushtetuta e Kosovës, nga afër patën mundësi ta shohin edhe qytetarët.
Krejt kjo për nder të Ditës së Kushtetutës që është më 9 prill.
Të parët që erdhën për vizitë këtu, ishin studentët nga Fakulteti Juridik.
Këtu u pritën nga kryetari i kësaj Gjykate, Nexhmi Rexhepi.
Nga kjo vizitë mësuan më shumë ata që po studiojnë drejtësinë.
“Është një përvojë shumë e mirë për rrugëtimin dhe rritjen akademike në fushën e drejtësisë, për disa prej neve është hera e parë që e vizitojmë Gjykatën Kushtetuese për disa të tjerë jo, e kemi pa Gjykatën prej brenda, e kemi kuptu pak a shumë se si organizohet një seancë gjyqësore brenda Gjykatës Kushtetuese, nga kush përbëhet Gjykata Kushtetuese, si zgjidhet trupi gjykues, e kemi pa qysh funksionin, i kemi njoftu disa gjykatës që janë momentalisht duke punuar aty dhe na ka pëlqy shumë kjo eksperiencë”, u shpreh Dionita Alickaj-studente e Fakultetit Juridik.
Kureshtarë për ta parë brendinë e Gjykatës Kushtetuese, ishin edhe të huajt.
Pas atyre kosovarë, këtu erdhi një një grup i studentëve nga Suedia.
Këta patën edhe pyetje politike.
Por kryetari u kujdes që mos të kishte komente.
Të mërkurën, dyert e Gjykatës Kushtetuese kanë qenë të hapura nga ora 10:00 deri në orën 14:00 për vizitë.






