Gjykata Kushtetuese e Kosovës është duke proceduar dy kërkesat e deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), në lidhje me vlerësimin e kushtetutshmërisë së vazhdimit të seancës konstituive pas aktgjykimit të këtij institucioni me datën 26 qershor.
Megjithatë, institucionit më të lartë juridik në vend i kërkohet që të trajtojë me urgjencë këto kërkesa dhe jo në afatin e paraparë prej gjashtëdhjetë ditëve. Në Lëvizjen Vetëvendosje, ani pse nuk pajtohen me kontestimet e PDK-së dhe LDK-së, thonë se Kushtetuesja duhet të sqarojë në detaje dhe, sipas tyre, të legjitimojë votimin e fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit. Ndërkaq, në shoqërinë civile e konsiderojnë të domosdoshme që Gjykata Kushtetuese të dalë me një aktgjykim të ri para afatit të paraparë në aktgjykimin e fundit, ku obligon deputetët që në afat prej 30 ditësh të konstituojnë Kuvendin e Kosovës.
Përkundër aktgjykimit të Kushtetueses në lidhje me seancën konstituive të Kuvendit, deputetët nuk kanë zgjedhur trupat e Kuvendit për t’i hapur rrugë formimit të institucioneve të reja pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, thotë për KosovaPress se partitë që deri tani ishin në opozitë po e interpretojnë gabimisht aktgjykimin e Kushtetueses. Sipas tij, edhe aktgjykimi i këtij institucioni ishte jo shumë i qartë dhe specifik për përgjegjësinë e partive në seancën konstituive dhe votimin e fshehtë në zgjedhjen e kryeparlamentarit.
Përkitazi me këtë, ai thekson se forma më e mirë është që Kushtetuesja të trajtojë me urgjencë këto kërkesa dhe t’i japë një epilog të qartë pretendimeve të partive që deri tani ishin në opozitë.
“Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese nuk ishte shumë i qartë dhe specifik kur vjen puna te përgjegjësia e palëve. Ka krijuar një situatë ku opozita është duke interpretuar mbi bazën e këndvështrimit të saj. Kjo paqartësi ka vazhduar me ndikuar për të keq situatën dhe, rrjedhimisht, tash i kemi edhe dy kërkesa të opozitës të dërguara në Kushtetuese për interpretim. Forma më e mirë do të ishte që gjykata të trajtojë me urgjencë këto kërkesa dhe të japë një epilog të subjektit që e kanë përfshirë deputetët”, thotë ai.
PDK dhe LDK i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese më 4 korrik, duke kontestuar veprimet e kryesuesit të seancës konstituive, deputetit të LVV-së, Avni Dehari, mbi “kërkesën për propozime për anëtarë të Komisionit për Votim të Fshehtë; hedhjen në votim të këtij Komisioni; vetë votimin e Komisionit; dhe ndërprerjen arbitrare të seancës pas mosmiratimit të Komisionit”, pas aktgjykimit të Kushtetueses më 26 qershor.
KosovaPress ka kontaktuar me anëtarë dhe deputetë të PDK-së dhe LDK-së në lidhje me kërkesën e tyre drejtuar Gjykatës Kushtetuese, mirëpo të njëjtit të martën nuk pranuan të flasin për këtë çështje.
Ndërkaq, në një përgjigje të shkurtër për KosovaPress, ky institucion bëri të ditur se tashmë janë duke proceduar kërkesat e PDK-së dhe LDK-së.
Në anën tjetër, hulumtuesi në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), Melos Kolshi, thotë për KosovaPress se është nevojë e jashtëzakonshme që Kushtetuesja të dalë me një aktgjykim më të shpejtë, përkitazi me kërkesat e parashtruara nga PDK-ja dhe LDK-ja.
Sipas tij, në këtë formë mund t’u jepet mundësia deputetëve të kenë hapësirë mbi vlerësimin e kushtetutshmërisë së seancës pas datës 26 qershor.
“Në lidhje me kërkesat e PDK-së dhe LDK-së drejtuar Gjykatës Kushtetuese, ajo aktualisht është në afatin kushtetues dhe ka të drejtë që brenda 60 ditëve të shqyrtojë këto kërkesa. Mirëpo nevoja është jashtëzakonisht e madhe që këto nevoja të trajtohen brenda afatit prej 30 ditësh të aktgjykimit të kaluar që ka hyrë në fuqi. Këto kërkesa të trajtohen para këtij afati në mënyrë që t’u lejohet deputetëve hapësirë, nëse pranohen si të bazuara, të konstituojnë Kuvendin dhe mbi skicën që e ka skicuar Gjykata Kushtetuese për ta”, thekson ai.
Përkundër aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për ngërçin në Kuvend dhe obligimin taksativ për konstituim të Kuvendit jo më larg se 26 korriku, partitë parlamentare kanë vazhduar avazin e dështimit në zgjedhjen e trupave të legjislativit në pesë seancat e fundit.
Mes tjerash, në aktgjykim kërkohet që partitë parlamentare, veçmas partia e parë në zgjedhje, Lëvizja Vetëvendosje, në mirëbesim të bashkëpunojnë për konstituimin e Kuvendit.
Kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu, në gjashtë tentime të hapura nuk ka arritur të sigurojë 62 votat e nevojshme për të marrë këtë post.