Për 20 vjet u quajt shtëpi afariste.
Por, nga vjeshta e vitit 1996, ky objekt brenda hapësirës së ish-fabrikës për prodhimin e municioneve në Prekaz të Skenderajt, u përdor për krejt diçka tjetër.
Pas masave të dhunshme serbe, shqiptarët lanë punën në këtë fabrikë.
E në hapësirat e saj, u vendosen forcat ushtarake e policore serbe.
“Prej këtu janë marrë të gjitha vendimet se kënd me sulmu. Këtu diku kujtoj shtabin e kanë pasur, ka qenë shtëpia afariste e fabrikës. Kemi gjetur edhe dokumente të tyre, pije dhe gjithçka, këtu ka qenë sigurisht shtabi i tyre”, thotë Haxhi Beqiri, ish- kontroller në repartin e kallameve.
Hapësira prej 18 hektarësh e kësaj fabrike, kufizohet me pronat e familjes Jashari në Prekaz.
Për këtë, kjo familje nga ky vit, do të ishte shënjestër e vazhdueshme e forcave serbe.
As 27 vitet e kaluara nuk kanë arritur t’i fshehin gjurmët e tankeve të cilat në marsin e vitit 1998, nga këtu u nisën drejt kullave të Jasharëve.
“Policia serbë këtu janë vendosur në vjeshtën e vitit 1996, deri në çlirimin e Kosovës. Gjatë asaj kohe, diku tri herë veç familjen e Adem Jasharit e kanë sulmuar prej këtu”, tregon Beqiri.
Por, kush e dha urdhrin për sulmin mbi familjen Jashari me 5 mars të vitit 1998?
Sigurisht, ky vendim është marrë në kabinetin e ish-presidentit serb, Slobodan Millosheviq.
Ndërsa i gjithë operacioni treditor u krye nën urdhrat e komandantit famëkeq serb, Goran Radosavleviq, i njohur me nofkën “Guri”.
Tëvë1 ka arritur të kontaktoj më njërin nga policët serb, i cili mori pjesë në sulmin mbi Jasharët.
Në kushtet anonimiteti, ky polic, emër i njohur për redaksinë, ka konfirmuar se në krye të këtij aksioni, ishte Goran Radosavlevic – Guri.
“Guri – ka komanduar në Prekaz. Pos tij kanë marrë pjesë edhe JSO. Unë kam qenë pjesëtar i PJP-së (Njësiti Special i Policisë) dhe pas një kohe është bashkuar edhe JSO nga Beogradi (Njësia për Operacione Speciale) nën komandën e Legijas. Aksioni ne Prekaz ka dy pjesë të ndara. E rëndësishme është që aty është bërë masakër ndaj civilëve të paarmatosur, gra dhe fëmijë. Serbia fatkeqësisht të gjithë këta i trajton si terrorist, por nuk janë ashtu. Të gjithë në atë lagje janë vrarë, pos NESE DIKUSH pak para kësaj ka arritur të dalë nga rrethimi. Kjo ka zgjatur gati 3 ditë. Aty edhe qenë, mace, e pula janë vrarë. Ajo lagje u dogj shumë”, thotë ish – polici serb.
Por, kush ishte “Guri”, njeriut të cilit iu besua njësiti special serb i “kundër-terrorizmit”?
“Goran Radosavleviq – Guri, ka udhëhequr një njësit që është quajtur Njësitet e Posaçme të Policisë. Ka qenë njësit special që është krijuar enkas për të luftuar në Kosovë. Njësiti është përmendur në shumë masakra që kanë ndodhur në Kosovë, duke përfshirë masakrën në Qyshk dhe fshatrave tjera përreth, është përendur se ka marrë pjesë edhe në sulmin e marsit të vitit 1998 ndaj familjes Jashari në Prekaz të Poshtëm”, thotë Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë.
Behxhet Shala drejtor në KMLDNJ, thotë se Radosavleviq ka qenë personi më i besueshëm i Millosheviqit.
“Ai ka qenë një person më i besueshmi i Millosheviqit dhe për këtë arsye atij ia kanë besuar thuaja të gjitha operacionet speciale që janë bërë në Kosovë, ku ka pasur me qindra apo mijëra viktima. Ka dyshime të bazuara dhe përtej të bazuara, që Goran Radosavleviq – Guri, ka marrë pjesë në rrethimin e familjes Jashari dhe masakrimin e civilëve, gjithashtu ai njihet edhe ai që ka arrestuar dhe ekzekutuar Vëllezërit Bytyqi”, ka thënë Shala.
Gati një vit pas sulmit mbi Jasharët, bota do ta shihte edhe një tjetër çmenduri të njeriut më të besuar të Slobodan Milosheviqit.
Bëhet fjalë për Reçakun, historinë e fundit të fshatit të cilën e dinë të gjithë.
“Burrat i kam parë qetu të shtrirë krejt. Bacit Sadik i kanë thënë e kujt është shtëpia, ka thënë e jemja. Ja kanë lyp telefonin e ja kanë marrë telefonin. Mua me kanë rreh aty tek pema e mollës. Njëri i tha lëshoje ti se pak je duke i sjellë, e pastaj e ka marrë një tjetër dhe me ka sjell sa ka mundur. Me stupc më ta nxjerr shpirtin ishte rëndë. I ka kris radiolidhja, i tha komandant sa janë? I numëroj e i tha mbi 30, pastaj i tha lëshoj”, tregon Ramë Shabani i mbijetuar i Masakrës së Reçakut.
Ky komunikim, i tha shpresë banorëve të Reçakut.
Në këtë mënyrë Ramë Shabani u fut në rresht e me shpresë iu ngjitën malit.
Por vetëm pak minuta më pas, e kuptuan se mali ishte i mbushur me ushtarë, policë e paramilitar serb.
“Doli nga ky mali, tha çka pritni këtu dhe ja ka nis me gjuajt. Ata të dy i ka rrokë plumbi dhe nuk e di a i ka mbytur në vend. Unë kam ikur teposhtë, pas meje janë vrarë edhe 7-8 veta të tjerë, unë jo. Unë shkova ka shtabi (i UCK), me ju thanë hajde se na vrajtën. Te ai grupi i madh, ka pas pa zemër, pa sy, pa kry”, thotë Shabani.
Edhe kjo masakër, pati vulën e komandantit të forcave speciale serbe.
Për këtë, emri i tij, nuk është i panjohur për ata që i mbijetuan këtij tmerri.
“Kam dëgjuar prej Qyshkut të Pejës e teposhtë kam dëgjuar për këtë emër, për Gurin. Ai ka dhënë urdhër gati për të gjitha masakrat”, tregon i mbijetuari i njërjes prej masakrave më të mëdha në Kosovë, asaj të Reçakut.
Krimet e Radosavleviqit nuk u ndalën me përfundimin e luftës në Kosovë.
Në korrik të vitit 1999, trupat e tre shqiptarëve të lindur në Çikago të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, u gjetën brenda një varri masiv në Serbi.
Ish-Ushtarët e UÇK-së nga Batalioni “Atlantiku”, Agron, Mehmet e Yll Bytyqi, ishin qëlluar nga afër, në pjesën e pasme të kokës.
Vendi se ku u gjetën trupat e tre shqiptaro-amerikanëve, ndodhet brenda bazës së trajnimit të Njësisë Speciale Anti-Terroriste në Petrovo Sello.
Përgjegjës për këtë bazë, ishte kush tjetër, përveç Goran Radosavleviqit
“Kidnapimi dhe vrasja dhe zhdukja e trupave të vëllezërve Bytyqi, është një vepër e Goran Radosavleviq – Gurit, sepse ai në atë kohë, qershor, korrik, gusht të vitit 1999, ka qenë komandant i Njësiteve të Posaçme Policore, dhe trupat e vëllezërve Bytyqi janë gjetur saktësisht në kampin e Njësiteve të Posaçme Policore në Petrovo Sello, ku ka qenë ky komandant”, thotë Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë.
Për këtë rast, Tëvë1 ka pyetur në Departamentin Amerikan të Shtetit.
Nga DASH për televizionin konfirmuan se Radosavleviqit, gruas së tij Svetlanës dhe vajzës Anës, vazhdon t’i ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara.
Radsosavljeviq ishte i përfshirë në mënyrë të besueshme në vrasjen e vëllezërve Bytyqi në vitin 1999, tre vëllezër shqiptaro-amerikanë të vrarë në Serbi pas Luftës së Kosovës. Ligji gjithashtu kërkon që Sekretari i Shtetit të njoftojë publikisht ose privatisht këta zyrtarë dhe anëtarët e familjeve të tyre. Përveç z. Radosavljevic, Departamenti po njoftuar publikisht edhe bashkëshorten e z. Radosavljevic, Svetlana Radosavljevic, dhe vajzën e tij, Ana Radosavljevic”, thuhet nga DASH për Tëvë1.
Për krimet e kryera në Kosovë, Guri nuk dha përgjegjësi kurrë.
Madje pas rënies së ish-presidentit serb, Slobodan Milosheviq, Radosavleviq u avancua në detyrë.
Ky u vendos në krye të xhandarmerisë serbe deri në vitin 2005, kur edhe u pensionua si gjeneral-kolonel.
“Ky para luftës, gjatë dhe pasluftës, ka qenë në pozitat më të larta, ka qenë i mbrojtur tërë kohën nga regjimi i Millosheviqit, pastaj të atyre që erdhën pas tij, Koshtunica etj. Një kohë ka dhënë edhe mësim në një akademi ushtarake, dmth i ka gëzuar të gjitha privilegjet”, thotë Behxhet Shala nga KMLDNJ.
Pas pensionimit nga aktiviteti ushtarak, Radosavleviq iu bashkua politikës.
Strehim gjeti tek Partia Përparimtare Serbe, e ish-ministrit të Slobodan Millosheviqit, tani presidentit serb, Aleksandër Vuqiq.
E njohësit e ligjit në Kosovë, thonë se e vetmja mundësi që Radosavleviq të dal para drejtësisë kosovare, është nëse ai arrestohet në një shtet të tretë.
“Shteti i Serbisë deri më tani nuk ka gjetur një formë të bashkëpunimit me Republikën e Kosovës që të gjithë ata persona qe kanë kryer krime në Kosovë, apo dyshohet qe kanë kryer krime në Kosovë, të dorëzohen para organeve të drejtësisë për tu zhvilluar hetime mirëfillta dhe në fund të vërtetohet fajësia apo pafajësia e tyre në raport me krimet të cilat i kanë kryer në Kosovë” shpreht Yll Zekaj, avokat.
Tëvë1 ka pyetur edhe në Prokurorinë Speciale të Kosovës, nëse ndaj Goran Radosavleviqit, është duke u përgatitur ndonjë aktakuzë.
Por për këtë, nuk ka marrë përgjigje.
Ndryshe në vitin 2021, shteti serb nderoi me një medalje mirënjohjeje tani 68 vjeçarin që kreu krimet më mizore të luftës në Kosovë.