Ky institucion i vendit ende nuk është konstituuar.
Gjykata Kushtetuese e përsëriti edhe njëherë që Kuvendi i Republikës duhet të konstituohet.
E afat për të iu dha vetëm 12 ditë.
Për deputeten nga Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila, në njoftim nuk kanë thënë që duhet të rikthehet për votim në pako ose të ripërsëritet votimi për nënkryetaren Emilja Rexhepit.
Kusari Lila thotë se kjo më herët është bërë si shkak i praktikës, por ky subjekt nuk ka vota për Listën Serbe.
“Po por ajo është çështje e praktikës së krijuar, përderisa ne kemi pasur edhe një situatë e cila nuk ka qenë praktikë e krijuar që lidhet me mospranimin tonë që të votojmë në favor të një përfaqësuesi nga ana e Listës Serbe, si rrjedhojë e gjitha ngjarjeve që kanë karakterizuar vendin tonë që nga nëntori, dhjetori i vitit 2022-të e deri tashmë së fundi, në raport me qëndrimin destruktiv të subjektit politik Lista Serbe gjitha implikimeve të tyre në veprime tepër të rrezikshme për integritetin dhe sovranitetin territorial të vendit tonë dhe si rrjedhojë e kësaj që nuk mund të vendoset që duhet të bëhen veprimet e njëjta përkundrejt që ka dalluar gjegjësisht sjellja dhe qasja e tyre ka qenë që sipas gjitha parametrave ose vlerësimeve ndoshta nuk do të duhej as të i plotësonin kushtet as të merrnin pjesë në procesin zgjedhor. Ajo çka pritet tashmë është aktgjykimi i plotë në mënyrë që të dihen detajet e procesit të votimit por prapë që unë po e them që Gjykata mund të flasë për procesin e votimit por jo të tregojë ose imponoj vullnetin politik tek deputetët e Kuvendit të Republikës dhe në këtë rrethanë ne vetëm tash jemi deklaruar të gjithë pa dallim që nuk ka votë për kandidatët nga radhët e grupit parlamentar të Listës Serbe”, është shprehur Kusari Lila.
Lutje që të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese pati edhe nga ndërkombëtarët.
Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav bëri thirrje për partitë politike që të i formojnë institucionet.
“Ne ashtu si njerëzit në Kosovë, e kemi marrë këtë informacion tash kohët e fundit, në të njëjtën mënyrë edhe bashkësia ndërkombëtare e mori po ashtu kohët e fundit dhe ne po e analizojmë për momentin. Por sigurisht shpresa jonë është që Kuvendi të konstituohet sa më shpejt që të jetë e mundur dhe shpresojmë që të ketë një qeveri me mandat të plotë sa më shpejt që të jetë e mundur”, ka thënë Orav.
Respektim të këtij vendimi kanë kërkuar edhe nga OSBE-ja.
Në reagimin e tyre, ata bëjnë thirrje për konstituim të Kuvendit të Republikës në përputhje me kornizën ligjore.
“Misioni vëren me shqetësim deklaratat e fundit publike dhe iniciativat që, drejtpërdrejt apo tërthorazi, synojnë të sfidojnë ose diskreditojnë autoritetin e Gjykatës Kushtetuese. Përpjekjet për të politizuar punën e Gjykatës dhe të sistemit gjyqësor në përgjithësi, e dëmtojnë besimin e publikut në institucionet e Kosovës, e gërryejnë sundimin e ligjit dhe mund të vënë në pikëpyetje zhvillimin demokratik të vendit. Misioni i OSBE-së nënvizon se pavarësia e gjyqësorit është një domosdoshmëri për demokracinë”, thuhet në reagimin e OSBE-së
Televizioni ka provuar të marrë një qëndrim edhe nga Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës mirëpo të njëjtit nuk kanë dhënë përgjigje se si e shohin këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese.