Këtë deklaratë të deputetit të LDK-së, Arben Gashi, Kusari-Lila e ka quajtur spekulative.
“Fare nuk besoj se qëndrojnë këto pretendime për arsye se nuk ka pasur as indikacione apo shprehje të vullnetit për të kaluar apo pakënaqësi për brenda grupit. Situata është normale në grup, me një frymë komunikimi dhe bashkëpunimi, prandaj për më tutje, për kë ka menduar besoj që Gashi duhet të flas, por më tepër e shoh si deklaratë spekulative sesa diçka përmbajtësore”, ka thënë ajo për Tëvë 1.
Ndërsa, sa i përket deklaratës tjetër të Gashit se Qeveria Kurti do të rrëzohet në vjeshtë, Kusari-Lila theksoi se Qeveria do ta vazhdojë mandatin e saj të rregullt deri në vitin 2025.
“Janë po të njëjtit që i kanë paraparë pak muaj, më pak se një vit e kështu me radhë të Qeverisë, prandaj ne kemi hyrë në vitin e dytë të qeverisjes dhe po besoj që Qeveria do të vazhdojë në mandatin e saj të rregull deri në vitin 2025 kur do të mbahen zgjedhje tjera parlamentare”, ka thënë ajo.
Gashi ka thënë se në vjeshtën e vonshme pritet të ketë rënie të Qeverisë Kurti II, pasi sipas tij, si shenjë e pakënaqësisë, tetë deputetë të koalicionit qeverisës pritet të kalojnë në LDK. /Teve1.info/