Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministren në detyrë të Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ministrin në detyrë të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, deputetë të zgjedhur të Kuvendit dhe anëtarë të familjes Lleshi, të mërkurën ka bërë homazhe te varrezat e dëshmorëve në Vraniq të Gjakovës, në përkujtim të 27-vjetorit të rënies së dëshmorëve Memë dhe Prend Lleshi.
Në fjalën e tij, Kurti theksoi se rruga drejt çlirimit të Kosovës dhe lirisë së popullit është e shtruar me gjakun e dëshmorëve dhe martirëve.
Ai shtoi se Republika e Kosovës sot ka demokraci të shëndetshme, zhvillim të qëndrueshëm, ushtri të fortë dhe siguri në të gjithë territorin, duke vlerësuar kështu sakrificën e popullit për liri, pavarësi dhe mirëqenie.
“Rruga drejt çlirimit të Kosovës dhe lirisë së popullit është e shtruar me gjakun e dëshmorëve dhe martirëve tanë. Vendosëm lule të freskëta te varret e ushtarëve të UÇK-së, Memë e Prend Lleshi, në përvjetorin e 27-të rënies së tyre në luftimet në Goden të Hasit. Ata prehen pranë të afërmve të tyre, Mark dhe Kolë Leshi, të rënë heroikisht me 7 gusht 1998 në betejën e Markalleshëve. Republika e Kosovës sot ka demokraci të shëndetshme dhe zhvillim të qëndrueshëm, ushtri të fortë dhe siguri anekënd, duke e lartësuar kështu sakrificën e madhe të popullit tonë për liri, pavarësi dhe mirëqenie. Lavdi dëshmorëve Memë, Prend, Mark dhe Kolë Lleshi dhe të dëshmorëve dhe martirëve të kombit”, është shprehur Kurti pas homazheve.










