Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur sonte tubim zgjedhor me qytetarët në Lipjan.
Kjo parti në zgjedhjet për kryetar të ri të komunës së Lipjanit garon me Ilir Qeriqin.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministër në detyrë, Albin Kurti ka kërkuar nga qytetarët e Lipjanit që në zgjedhjet e së dielës të dalin dhe të votojnë për kandidatët e kësaj partie.
“Kaq shumë buzëqeshje në fytyrë dhe kaq shumë fytyra të ndritura tregojnë se çfarë është rezultati i kësaj të diele në Lipjan. Këto tregojnë Lipjanin e pret një katërvjeçar i buzëqeshur dhe i ndritshëm, andaj edhe buzëqeshja në fytyrat e tuaja dhe gjithë ky ndriçim është buzëqeshje nga ardhmëria. Tashmë po e dini rezultatin e 12 tetorit… Me hajna nuk ka shtet me hajna, nuk ka as komunë dhe ndryshimi i madh që ka përfshirë Kosovën e ka anashkaluar Lipjanin, por është shansi i fundit është që këtë ta bëni edhe në Lipjan duke votuar LVV numër 105 dhe Ilir Qeriqin për kryetar komune”, tha Kurti.
Kurti tha se nën qeverisjen e Ilir Qeriqit do të ketë furnizim stabil me ujë të pijes, banim të përballueshëm për çiftet e reja, fabrikë për riciklim të mbeturinave, infrastrukturë të re duke thënë se Lipjani ka potencial të madh zhvillimi.
Në qendër të programit të VV-së, ai tha se janë shërbimet cilësore në çdo fushë, përfshirë transformimin e shëndetësisë, zgjatjen e orarit të punës nëpër QKMF-të e komunës së Lipjanit, shërbime urgjente 24 orë, mbështetje për fermerët me sera, zhvillim modern në fushën e arsimit.
Ai tha se Lipjani me Ilir Qeriqin do të ketë investime dhe zhvillim më shumë se kurrë, teksa pati edhe një porosi për ish-kryetarët e tjerë të kësaj komune që tash janë në garë edhe për një mandat të ri.
“Dy kandidatët e tjerë që janë më shumë kundër sesa kandidatë, nuk kanë më çfarë t’i japin Lipjanit. Ata e kanë pasur rastin, nuk e kanë përdorur, apo më mirë të themi e kanë shpërdorur. Njëri po garon për ta ruajtur pasurinë, tjetri për ta shuar pasurinë. Njëri ka pasur tri mandate dhe nuk kemi pse e provojmë më për rezultatet e njëjta të vakëta e punët e njëjta të mbrapshta nuk ka nevojë të kemi shanse të reja për të vjetrin atë aktual edhe ndonjë ditë që i ka mbetur, ndërkaq ky tjetri që po garon , ish-komandant, një gjë mos e harroni, në kohën e shpalljes së pavarësisë, Lipjani e ka paguar një çmim të madh, tetë fshatra ia kanë marrë dhe ia kanë dhënë Graçanicës”, ka thënë Kurti.
Kandidati për kryetar të Lipjanit Ilir Qeriqi tha se gjatë qeverisjes së tij do të ketë zhvillim dhe ndryshime pozitive për qytetarët.
“Ne nuk garojmë për veten tonë dhe interesa tona personale, komuna nuk është strehë për pa punëtorët, as mjet për t’i shtuar vetes dhe familjes së kryetarit pasuri. Komuna ofron shërbime që ofron shërbime pranë qytetarit, nxënësit, nënave me fëmijë, punëtorëve, të papunëve, të pastrehëve dhe qëndron me secilin dhe pranë secilit. Ne jemi në garë për këto detyra dhe do ta dëshmojmë këtë, kurse të tjerët kanë qenë në garë vetëm për veten, familjet e tyre dhe shokët e tyre… Nga 12 tetori fillon një qeverisje e re më e mirë për Lipjanin. Unë nuk bëj dallime partiake, do të jem për të gjithë njësoj, kemi programin për secilën çështje për të çuar përpara Lipjanin,” ka thënë ai.
Në këtë tubim u prezantuan edhe kandidatët për asamblistë nga radhët e LVV-së për Lipjanin.
Kujtojmë, në garën për kryetar të Lipjanit më 12 tetor, përveç Ilir Qeriqit nga LVV-ja, janë Imri Ahmeti LDK, Shukri Buja PDK, Bashkim Budakova AAK dhe Ardian Bytyqi Guxo. Lipjani që nga 2013 udhëhiqet nga LDK-ja me Imri Ahmetin. Para tij, për dy mandate kishte udhëhequr PDK-ja me Shukri Bujën.