Në 27 – vjetorin e Epopesë së Dukagjinit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se forcat serbe në përballje me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, të komanduar nga Ramush Haradinaj pësuan dëme të mëdha.
Kurti ka thënë se rezistenca në Gllogjan tregoi qëndrueshmërinë e popullit të Kosovës për të vazhduar luftën për liri.
“Në javët e para të luftës në Kosovë, 27 vite më parë, si sot, më 24 mars 1998, njësite policore serbe ia mësyen fshatit Gllogjan të Deçanit, duke sulmuar qendrën e një prej grupeve të armatosura më aktive të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Që nga paraditja e deri në mbrëmje, ata u përballën me një rezistencë të armatosur të qendërzuar rreth familjes së Hilmi Haradinajt dhe bijve të tij.Të komanduar nga Ramush Haradinaj, i cili atë ditë u plagos dy herë gjatë luftimeve, bashkë me vëllezërit e tij Shkëlzenin, Dautin, Frashërin dhe Enverin, me motrën e tyre Mema, me kushërinjtë Rasimin e Bujarin, me nipin Kujtim Zeneli dhe me bashkëluftëtarë të tjerë, i zmbrapsën policinë serbe duke u shkaktuar dëme e të vrarë”, ka shkruar Kurti.
Atë ditë të martë, kullat e Gllogjanit u kthyen në kulla qëndrese, teksa u luftua te shtëpitë Smajl e Rasim Haradinajt, në shtëpitë e Zeqë e Ibrahim Mustafës, në shtëpinë e Xhafer Sadriut dhe Islam Hasanit. Më 24 mars 1998, në Gllogjan ranë dëshmorë Gazmend Mehmetaj, Agron Mehmetaj dhe Himë Haradinaj.
Rezistenca në Gllogjan tregoi qëndrueshmërinë e popullit të Kosovës për ta vazhduar luftën për liri deri në çlirimin e Kosovës nga Serbia pushtuese dhe armike.
Mirënjohje të përhershme dhe nderime të gjithë atyre që luftuan e u angazhuan për çlirimin e Kosovës. Lavdi dëshmorëve të kombit dhe të gjithë të rënëve për lirinë e atdheut!