Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka mirëpritur të hënën në takim Koordinatorin e ri për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Stephen O’Malley.
Sipas Zyrës së Kryeministrit, Kurti ka vlerësuar bashkëpunimin e vazhdueshëm me ekipin e OKB-së në Kosovë (UNKT), si dhe e ka falënderuar për mbështetjen afatgjate të dhënë për Kosovën.
“Gjatë takimit u theksuan disa prej bashkëpunimeve më të suksesshme në luftën kundër korrupsionit, edukimin e hershëm, trashëgiminë kulturore e banimin social”, thuhet në komunikatë.
Tutje bëhet e ditur se, gjatë takimit është ritheksuar gatishmëria e Qeverisë në detyrë për të thelluar partneritetin me UNKT në drejtim të zhvillimit të kapitalit njerëzor përmes arsimit gjithëpërfshirës, shëndetësisë cilësore, mbrojtjes sociale, sundimit të ligjit e qeverisjes së mirë.
“Në fund, kryeministri Kurti shprehu bindjen se udhëheqja e z. O’Malley do ta avancojë partneritetin ekzistues në një nivel edhe më të lartë gjatë ciklit të ri të planifikimit 2026–2030, duke u bazuar në parimet e përbashkëta të gjithëpërfshirjes, barazisë gjinore dhe të drejtave të njeriut”, theksohet në komunikatë.