Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka publikuar një video ku shihen pjesëtarë të Ushtrisë së Seribë disa metra larg kufirit të Kosovës.
Ai ka thënë se pamjet janë bërë gjatë ditës së mërkurë, në afërsi të fshatit Banje të Zubin Potokut.
Ai ka thënë se këto pamje vijnë disa ditë pas kërcënimit të presidentit serb Vuçiq.
“Ditë më parë, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kërcënoi publikisht Kosovën, duke thënë se “Serbia do të presë momentin më të mirë të mundshëm dhe do ta shfrytëzoj mundësinë për të vepruar”.Sot gjatë ditës, njësi të specializuara të ushtrisë së Serbisë janë vërejtur vetëm disa metra larg kufirit me Kosovën, në afërsi të fshatit Banje të Zubin Potokut. Lëvizje të ngjashme janë regjistruar edhe në fshatin Oslare të Bujanovcit, në afërsi të kufirit me Kosovën”, ka shkruar Kurti, përcjell teve1.info
Ai ka thënë se janë të vetëdijshëm për aktivitetet e forcave serbe të cilat po i përdorin për të shkaktuar provokime, duke shtuar se ofrimi i automjeteve të tyre ushtarake nuk është normal.
“Jemi të vetëdijshëm se Forcat e Armatosura të Serbisë janë duke realizuar stërvitjet e rregullta dhe ato janë duke i përdorur si pretekst për të shkaktuar provokime të qëllimshme në afërsi të kufirit me Kosovën. Jemi duke vëzhguar me kujdes se a do të përpiqen ta kalojnë kufirin, gjersa edhe ky afrim i automjeteve të tyre ushtarake nuk është normal”, ka shkruar Kurti.