Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka quajtur situatë të montuar bisedën telefonike ndërmjet shefes së deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari- Lila me Milan Radojiqiçin.
Kurti ka thënë se vet nuk i ka dëgjuar bisedën dhe sipas tij, qytetarët e dinë se kush ka bashkëpunuar dhe e kanë shumë të qarte pse Radojiçiqi ka ikur tash dhe nuk qëndron në qeveri.
“Unë vetë nuk i kam dëgjuar, por qytetarët e dinë se kush ka bashkëpunuar dhe e kanë shumë të qartë pse Radoiçiqi ka ikur tash dhe nuk qëndron në qeveri… Ajo është një situatë e montuar dhe Radojiçiqi këtë muaj i bënë 9 muaj që është i lirë në Serbi dhe trusnia duhet të ishte që në Kosovë të këtë aktakuzë dhe të arrestohet”, u shpreh Kurti para mediave.
I pyetur se a do të ketë masa ndëshkuese ndaj Mimoza-Kusarit për komunikimin e saj me Radoiçiq, Kurti tha se Kusari-Lila nuk është anëtare e LVV-së.
“Po e kuptoj se po përpiqeni të dramatizoni me çdo kusht disa sekonda të një bisede që nuk e di si është marrë dhe ku është marrë, si u pre dhe nga kush është organizuar. Unë jam kryetar i LVV-së dhe Mimoza Kusari nuk është anëtare e LVV-së. Edhe po të ishte anëtare e LVV-së për këso gjërash ka komisione dhe LVV-ja nuk e ka kryetarin diktator që merr vendime”, tha ai.
Ndryshe, një audio-incizim i publikuar nga gazeta Nacionale ku dëgjohet shefja e grupit parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, teksa flet me kryekriminelin Milan Radoiçiq, ka nxitur shumë reagime në vend.