Në njoftimin për media nga Zyra e Kryeministrit thuhet se Kurti e njoftoi kongresistin Jones për përpjekjet dhe angazhimin për të tërhequr investime, veçanërisht nga SHBA-ja, dhe për të krijuar vende pune të qëndrueshme dhe të mirëpaguara në Kosovë.
“U diskutua për sigurinë në kontinentin e Evropës pas agresionit ushtarak rus në Ukrainë dhe rrezikun që ndikimi rus në Ballkanin Perëndimor paraqet për paqen dhe stabilitetin në rajon”, është bërë e ditur në njoftim.
Kryeministri Kurti vuri theksin te kërcënimi për sigurinë e Kosovës dhe rajonit që mund t’iu vijë nga aleanca ushtarake e Serbisë me Rusinë dhe theksoi nevojën për demilitarizimin e brezit tokësor disakilometërsh rreth kufirit të Kosovës, ku Serbia ka vendosur gjithsej 48 baza operuese ofensive (28 baza ushtarake dhe 20 sosh të xhandarmërisë).
Ai përsëriti kërkesën që kampi ushtarak “Bondsteel” që ndodhet në Kosovë, të kthehet në bazë të përhershme ushtarake të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. /teve1.info/