Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se bojkoti i zgjedhjeve në veri të vendit është imponuar nga fushata kërcënuese e Beogradit zyrtar dhe veglave të tij kriminale në veri.
Kurti, ka falënderuar KQZ-në për organizimin e zgjedhjeve, policinë e Kosovës për sigurinë dhe qytetarët e Kosovës për mbështetjen, shkruan teve1.info
Tutje kryeministri Kurti, ka thënë se atmosfera në veri të Kosovës ishte e frikësimit dhe shantazhit, andaj sipas tij për këtë arsye dalja e qytetarëve në zgjedhje ishte e ulët.
“Zgjedhjet për kryetar në katër komunat veriore të Kosovës dhe për kuvendet komunale në dy sosh, dje u zhvilluan qetë dhe pa incidente. Falënderoj KQZ-në për organizimin, policinë e Kosovës për sigurinë dhe qytetarët për mbështetjen. Atmosfera ishte ajo e frikësimit dhe shantazhit andaj edhe dalja e qytetarëve në zgjedhje ishte e ulët. Bojkoti ishte i imponuar nga fushata kërcënuese e Beogradit zyrtar dhe e veglave të tij kriminale në terren në veri. I falënderoj qytetarët për kurajon dhe qetësinë”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Tutje, Kurti ka uruar kryetarët e asambleistët e zgjedhur nga qytetarët, teksa ka premtuar qe Qeveria e Kosovës do t’i ndihmojë e përkrah.
“Uroj kryetarët dhe asamblistët e zgjedhur dje. Ata duhet të punojnë me përkushtim dhe të shërbejnë pa dallim. Qeveria do t’i përkrahë e ndihmojë. Sistemi institucional dhe shërbimet publike do të mund të funksionojnë më shumë e më mirë. Për mirëqenien e qytetarëve dhe të drejtat e tyre”, shtoi ai.