Kryeministri Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se bizneset e vogla e të mesme janë në fokus të Qeverisë, pas sipas tij ato mundësojnë krijimin e vendeve të punës.
Këto deklarime ai i bëri gjatë vizitës në në fabrikën “Top Soft Papers” në Llapllasellë të Komunës së Graçanicës.
“Bizneset e vogla e të mesme janë në fokus të qeverisë sonë sepse ato janë që e bartin barrën e punësimit më të madh në Republikën e Kosovës në sektorin privat por natyrisht jo vetëm. E falënderojmë pronarin Burim Karaqiqa për këtë mikpritje por gjithashtu edhe për shpjegimin e procesit të prodhimit dhe për gatishmërinë e tij që ta rris prodhimin e vetë që i ndihmon edhe atij vetë si ndërmarrës por natyrisht edhe ekonomisë së Kosovës nëpërmjet tatimeve që ia bën këtij biznesi shteti dhe e rrit buxhetin por gjithashtu edhe nëpërmjet rritjes së punësimit që e zvogëlon barrën sociale për shtetin tonë”, ka thënë Kurti, thuhet në komunikatë.
Kurti që në këtë vizitë ishte i shoqëruar nga ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, foli edhe për punën që bëhet në këtë kompani.
“Kanë filluar me biznes para gjashtë vjetëve, dy vitet e para tregti dhe mandej e kanë kaluar në prodhimin e letrave pastruese higjienike meqë rast gjithë prodhimin e tyre arrijnë që ta prodhojnë në treg dhe ta shesin. I kanë 24 punëtorë që punojnë në dy ndërrime ndërkaq makineria është me teknologji nga Turqia, Italia e Greqia”, theksoi ai duke bërë të ditur po ashtu se kjo fabrikë është edhe përfitues të masës 2.1 pra subvencionim i kredisë investuese në shumën e gjithmbarshme prej 450 mijë eurove.
Ndërsa, ministri Murati tha se Qeveria është e përkushtuar t’i mbështesë bizneset prodhuese dhe kjo ka qenë edhe qëllimi i masës 2.1. nga e cila ky biznes ka përfituar në zgjerimin e kapaciteteve prodhuese. Ai shtoi se për të ishte kënaqësi të dëgjojë se i gjithë prodhimi i këtij biznesi plasohet në treg dhe se vetëm është çështje e kapacitetit prodhues për të filluar eksporti sepse kërkesa veçse ekziston./teve1.info/







