Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, sot bëri homazhe dhe vendosi kurora me lule pranë varreve të tetë martirëve të lagjes Muliqi, në 26-vjetorin e masakrës së dytë në Abri të Epërme të Drenicës.
Pas masakrës së 26 shtatorit, ku u vranë 23 anëtarë të familjes Deliu, forcat e armatosura serbe më 30 mars 1999, vranë tetë djem e burra të familjes Muliqi. Katër nga ta ishin nxënës të moshave nga 13 deri 17 vjeç.
Në këto homazhe, Kurti tha se sot shënojmë 26-vjetorin e vrasjes së katër anëtarëve të familjes Morina: veprimtarit Fejzullah Morina dhe tre djemve të tij, ushtarit të UÇK-së, Lavdim Morina, si dhe dy fëmijëve, Fidaim Morina dhe Shkëlzen Morina.
Kurti, kujtoi se 13 % e të vrarëve gjatë luftës në Kosovë kanë qenë fëmijë, tha ai, duke kujtuar të rënët e kësaj masakre, Fidaimin 14 vjeç dhe Shkëlzenin 10 vjeç.
“Pra, pothuajse çdo i shtati i vrarë në luftën e fundit të viteve 1998/1999 ka qenë fëmijë.”, përmendi më tej kryeministri në detyrë
“Për t’i përkujtuar më denjësisht fëmijët e vrarë nëpër gjithë Kosovën, Qeveria e Republikës së Kosovës, nëpërmjet Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, do të ngrisë memorialin qendror në shenjë nderimi dhe kujtimi për të gjithë fëmijët e vrarë gjatë luftës në Kosovë ashtu që përtej datave të përvjetorëve të rasteve të përveçme dhe përtej vendeve gjithandej Kosovës ku janë vrarë gjithë këta fëmijë, ata të mund të kujtohen denjësisht edhe me një memorial të përbashkët.I përjetshëm qoftë kujtimi për Fejzullah, Lavdim, Fidaim dhe Shkëlzen Morinën, sepse pa gjakun e tyre, e të gjithë dëshmorëve e martirëve të kombit tonë, Kosova nuk do të mund të çlirohej, nuk do të mund të pavarësohej, e sot nuk do ta kishim zhvillimin e demokracinë” u shpreh ai.