Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, të hënën mori pjesë në pritjen e organizuar nga Ambasada e Shqipërisë në Prishtinë, me rastin e 28 Nëntorit Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë.
Në fjalën e tij, Kurti tha se kremtimet e Nëntorit sjellin gjithmonë emocione të veçanta, duke i rikthyer kujtesës ngjarjet historike që shënuan kombin shqiptar, nga Kongresi i Manastirit deri te shpallja e Pavarësisë më 1912.
“Këto data, si 22 nëntori i 1908-ës ashtu edhe 28 nëntori i 1912-ës, janë data historike të shënjuara një herë e mirë në kalendarin e kronologjisë së historisë së kombformimit dhe të shtetndërtimit të ne shqiptarëve”, tha Kurti.
Ai theksoi se bashkëpunimi mes Prishtinës dhe Tiranës ka marrë formën e një përkushtimi të thellë, që sipas tij matet mbi të gjitha me ndikimin konkret në jetën e qytetarëve.
“Bashkëpunimi mes Kosovës dhe Shqipërisë tani ka marrë formën e një përkushtimi të thellë, që nuk matet vetëm me dokumente apo statistika, por me mënyrën se si përmirësohet jeta e qytetarëve”, u shpreh ai.
Kurti përmendi 58 marrëveshjet e nënshkruara në katër vitet e fundit, rritjen e tregtisë, qarkullimin e energjisë, projektin e hekurudhës Prishtinë–Durrës, heqjen e vulës apostile, njësimin e diplomave, si dhe iniciativat e përbashkëta në arsim, kulturë, siguri dhe drejtësi.
“58 marrëveshje të nënshkruara vetëm në katër vitet e fundit nga 184 gjithsej dhe qindra mijëra qytetarë që çdo ditë e prekin këtë afrim në jetën e tyre, janë tregues se vizioni i përbashkët nuk është vetëm fjalë: është tregti që rritet me qindra milionë euro, energji që qarkullon pa pengesa, janë Lojërat Mesdhetare 2030, studentë që gëzojnë mundësi të barabarta, janë 26 vendkalime kufitare të reja e deri te projekti gjigant hekurudha Prishtinë–Durrës. Është hapja e zyrave doganore, heqja e vulës apostile, njohja e pensioneve dhe sigurimeve, njësimi i diplomave dhe lëvizja pa kontrolle kufitare. Në arsim e kulturë, janë abetarja unike, enciklopedia shqiptare dhe projektet kulturore mbarëkombëtare. Ndërsa në siguri, turizëm, bujqësi e drejtësi, procedurat e unifikuara dhe bashkëpunimi teknik po i bëjnë dy shtetet më funksionale dhe më të afërta se kurrë”, theksoi Kurti.
Kryeministri në detyrë kujtoi gjithashtu se përvjetori i Pavarësisë së Shqipërisë këtë vit përkon me 81-vjetorin e çlirimit të vendit nga nazifashizmi, duke nënvizuar se Shqipëria ishte “i pari dhe i vetmi vend në Evropë që u çlirua me forcat e veta”.
Ai tha se ky orientim politik duhet mbajtur i qëndrueshëm, ashtu si edhe raportet me aleatët ndërkombëtarë.
Në përmbyllje, Kurti uroi që Kosova dhe Shqipëria “të jenë të bekuara përgjithmonë” dhe që festat mbarëkombëtare të kremtohen gjithmonë së bashku.
“Sot, teksa e shënojmë 113-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, çdo angazhim për forcimin e dy shteteve tona, Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, vazhdon ta ketë bekimin e atyre burrave dhe grave që dhanë gjithçka nga dija dhe përvoja, nga guximi dhe jeta e tyre, për Kosovën dhe Shqipërinë, si dhe për jetësimin e ideve të shqiptarizmës siç i konceptuan ato rilindësit tanë. Për më tepër që ky 113-vjetor i shtetit shqiptar, po kremtohet në sfond të 81-vjetorit të çlirimit të Shqipërisë nga nazifashizmi dhe 80-vjetorit të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Le të kujtojmë që Shqipëria ishte i pari dhe i vetmi vend në Evropë që u çlirua me forcat e saj, duke u rreshtuar drejt pas Aleatëve. Ky rreshtim politik i shqiptarëve, duhet ruajtur si i tillë, bashkë me angazhimin tonë për ruajtjen e aleatëve tanë. Të bekuara qofshin Shqipëria dhe Kosova përgjithmonë dhe së bashku i jetofshim dhe festofshim përherë”, përfundoi Kurti./teve1.info./




