Kurti përmes një postimi në Facebook ka thënë se Austria është mike e ngushtë e Kosovës dhe partnere e rëndësishme në marrëdhëniet bilaterale.
Teksa theksoi se ka vullnet të dyanshëm për thellim të mëtejmë të bashkëpunimit mes dy vendeve në rafshin politik, ekonomik e kulturor.
“I nderuar me mikpritjen e Kancelarit austriak, Karl Nehammer në vizitën time të parë zyrtare për këtë vit, së bashku me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku. Austria është mike e ngushtë dhe partnere e rëndësishme e Kosovës. Marrëdhëniet tona bilaterale janë të shkëlqyeshme. E megjithatë ka vullnet të dyanshëm që ato të thellohen edhe më shumë sa në rrafshin politik, aq në atë ekonomik e kulturor. E falënderova Kancelarin Nehammer për ftesën e tij, bashkëpunimin e afërt dhe mbështetjen e hapur për Republikën e Kosovës, posaçërisht në integrimin evropian, dhe rrugëtimin e Qeverisë sonë reformiste”, ka shkruar ai.
Tutje i pari i ekzekutivit tha se gjatë vizitës së tij në Vjenë ka marrë pjesë në diskutimin e organizuar nga Akademia Diplomatike e Vjenës, ku ndër tjerash, tha se në prani të akademikëve ka prezantuar të arriturat e shoqërisë dhe shtetit të Kosovës.
“Gjatë qëndrimit tim njëditor në Vjenë, gjithashtu mora pjesë në diskutimin e organizuar nga Akademia Diplomatike e Vjenës, Instituti Austriak për Politika Evropiane dhe të Sigurisë dhe Ambasada e Republikës së Kosovës në Austri, me temë “Ballkani Perëndimor: pjesë kyçe e paqes së qëndrueshme në Evropë”. Aty, në prani të akademikëve, diplomatëve, ambasadorëve dhe studentëve pata mundësinë të shpalosë historinë tonë, prezantojë të arriturat tona si shoqëri, shtet dhe Qeveri, dhe të ndajë me ta qëndrimet e Republikës së Kosovës karshi zhvillimeve gjeopolitike në kontinentin tonë”, shkroi tutje ai./teve1.info./