Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se rreshteri, Afrim Bunjaku i vrarë të dielën nga grupi i armatosur serb është heroi më i ri i Kosovës.
Ai tha se në këtë ditë ndjejmë dhembje dhe pikëllim, por njëkohësisht edhe krenari dhe besim për Afrimin dhe të gjithë pjesëtarët e Policisë së Kosovës.
“Por, edhe sotmja është edhe dita ku do të bëjmë nderimet më të larta shtetërore dhe gjithëpopullore policit, Afrim Bunjaku sepse bashkë me pikëllimin dhe dhembjen ndjejmë edhe krenari dhe besim për Afrimin dhe të gjithë pjesëtarët e Policisë së Kosovës”.
Kurti tha se dje është pamundësuar një skenar më i gjerë kriminal dhe terrorist.
“Për policinë tonë në veprimet e tyre profesionale e të guximshme dje e pamundësuam një skenar më të gjerë kriminal dhe terrorist. Le ta themi qartë edhe sot sikurse dje Afrim Bunjaku u vra ndaj një sulmi kundër Policeve të Kosovës dhe ndaj vet shtetit tonë nga një grup personash shumë të armatosur, të pajisur rëndë, të trajnuar profesionalisht dhe me plan, të përkrahur politikisht, të financuar materialisht dhe të mbështetur logjistikisht nga Serbia”, ka thënë Kurti në mbledhjen komemorative në nderim të policit të vrarë, Bunjaku.