Profesori i historisë, Bedri Muhadri, ka folur për momentet kyçe që çuan te pavarësia e Kosovës, duke i lidhur ato me kërkesat e vazhdueshme të shqiptarëve për drejtësi dhe liri.
Sipas Muhadrit, ideja e pavarësisë nuk ishte e re, por kthesa e madhe ndodhi kur shqiptarët filluan të vepronin në mënyrë masive për të arritur këtë qëllim.
“Kanë qenë kërkesa të vazhdueshme të intelektualëve për drejtësi dhe për Republikën e Kosovës. Por kur ndodh kthesa e madhe? Sikurse në kohën e rilindjes kombëtare të vëllezërve Frashëri, kur nisi lëvizja për çlirim nga Perandoria Osmane, edhe në ish-Jugosllavi kemi një rilindje kombëtare shqiptare, e cila synonte suksesin dhe avancimin e statusit të çështjes shqiptare”, ka thënë ai në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1.
Ai ka përmendur vitin 1991 si një moment kyç, kur u krijua Unioni i Partive Politike Shqiptare nën udhëheqjen e Ibrahim Rugovës.
Në këtë periudhë u vendosën tre pika kryesore për të ardhmen e shqiptarëve: Kosova të ketë status të avancuar brenda Jugosllavisë, krijimi i një republike shqiptare në rast ndryshimi të kufijve të brendshëm, dhe unifikimi i tokave shqiptare në rast ndryshimi të kufijve të jashtëm.
“Në vitin 1991 u formua Unioni i Partive Politike Shqiptare, nën udhëheqjen e Ibrahim Rugovës, ku u shtruan tri pikat kryesore të asaj kohe: nëse Jugosllavia do të mbetej siç ishte, Kosova duhej të bëhej Republikë dhe shqiptarëve në Maqedoni e Mal të Zi t’u avancohej statusi; nëse do të ndryshonin kufijtë e brendshëm të Jugosllavisë, atëherë kërkohej krijimi i një republike shqiptare në ish-Jugosllavi, siç quhej atëherë; ndërsa nëse do të ndryshonin kufijtë e jashtëm të Jugosllavisë, kërkohej unifikimi i tokave shqiptare, pra një shtet unik. Kthesa e madhe historike ndodh atëherë kur veprohet në mënyrë masive, kur ideja bëhet e realizueshme dhe përballet në mënyrë masive”, ka treguar Muhadri.
Muhadri ka theksuar se këto përpjekje çuan drejt rilindjes për shtetin e pavarur të Kosovës, që kulmoi me shpalljen e Republikës së Kosovës në vitin 2008, pas luftës çlirimtare dhe sakrificave të mëdha.
“Nga viti 1990 kemi një rilindje për shtetin e pavarur të Kosovës, përkatësisht për Republikën e Kosovës, e cila e kurorëzoi mëvetësinë e saj në vitin 2008. Këto janë pikat kryesore të kthesës historike. Natyrisht, në këtë proces një vend të veçantë zë edhe lufta çlirimtare, si pika më kulmore e kësaj rrjedhe historike”, ka përfunduar ai.




