Pas një periudhe të pasigurisë dhe luhatjeve në karrierën e tij, Shkëlqim Vladi ka gjetur stabilitet dhe formën e tij të vjetër te Aarau, në ligën e dytë zvicerane.
Sulmuesi 26-vjeçar i Kosovës ka rrëfyer për periudhën e tij të vështirë në Superligën e Zvicrës, aty ku synon të kthehet shpejt me FC Aaraun.
Për të, ky klub ka një vend të veçantë në zemrën e tij dhe e ndihmon të rikthehet te vetja, duke shprehur gjithashtu ambicien për të arritur më lartë në karrierë.
Rrugëtimi i Shkelqim Vladit në futbollin profesional ka nisur me sfida. Periudha te St.Gallen ka qenë ndryshe. Atje, Vladi nuk ka arritur të realizojë pritshmëritë e tij. “Nuk ka shkuar siç doja. Nuk pata asnjë mundësi për të treguar veten dhe isha i zhgënjyer,” ka thënë ai. Periudha në St.Gallen ka qenë një mësim i rëndësishëm për të, i cili tani e sheh si një hap pas në karrierën e tij.
Kur u rikthye në Challenge League me FC Aarau, shumë e panë këtë si një hap prapa për Vladin. Megjithatë, për të, ky “hap pas” ishte një mundësi për të rritur nivelin e tij dhe për të rikthyer gëzimin dhe pasionin për futbollin.
“Sportivisht, mund të jetë një hap prapa, por për mua ka qenë mundësia për të rifituar kënaqësinë dhe pasionin që kam për këtë sport,” ka thënë ai. Për Vladin, kjo periudhë ka qenë një hap i nevojshëm për të rimenduar karrierën dhe për t’u rikthyer te vetja. Dhe, pa dyshim, ka rezultuar një vendim i drejtë.
Te Aarau, në 11 ndeshje ai ka realizuar 9 gola dhe dy të tjerë në Kupën e Zvicrës. Me 65 pikë dhe në vendin e dytë, Aarau, pritet të rikthehet në elitën e futbollit zviceran, derisa Vladi, që është ftuar më parë te Kombëtarja e Kosovës, synon të mbetet te kjo skuadër, dhe me të, të shijojë edhe njëherë Superligën zvicerane dhe futbollin ndërkombëtar me Dardanët.




