Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim çështjen penale ndaj Izedin Mjezinit, Vesat Imerit, Nexhip Gashit, Besim Sylejmanit, Sylë Sulejmanit, Naim Abrashit dhe Armend Iljazit, të cilët nga Gjykata Themelore në Prishtinë ishin dënuar me 20 vjet burgim dhe 42 mijë euro gjobë për kontrabandim me armë dhe tregti të ndaluar.
Aktgjykimi i Apelit është marrë më 5 maj 2023, nga kolegji i gjyqtarëve në përbërje të gjykatëses Afërdita Bytyqi (kryetare) dhe gjykatësve Bashkim Hyseni dhe Ferit Osmani (anëtarë), të cilët kanë aprovuar në tërësi ankesat e mbrojtësve, duke anuluar aktgjykimin e Themelores, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 8 qershor 2022, kishte marrë aktgjykim dënues ndaj shtatë të akuzuarve për kontrabandim me armë dhe tregti të ndaluar Izedin Mjezini, Vesat Imeri, Nexhip Gashi, Besim Sylejmani, Sylë Sulejmani, Naim Abrashi dhe Armend Iljazi, duke i dënuar me 20 vjet burgim dhe 42 mijë euro gjobë (së bashku).
Ndaj këtij vendimi, ankesë kishin ushtruar mbrojtësi i të akuzuarit Mejzini, avokati Mahmut Halimi, mbrojtësi i të akuzuarit Imeri, avokati Betim Shala, mbrojtësi i të akuzuarit Gashi, avokati Driton Musliu, mbrojtësi i të akuzuarit Abrashi, avokati Shyqeri Syla, mbrojtësi i të akuzuarit Sylejmani, avokati Imer Beka, mbrojtësi i të akuzuarit Sulejmani, avokati Emrush Kastrati dhe mbrojtësi i të akuzuarit Iljazi, avokati Arbër Shala.
Këto ankesa, si dhe ajo e parashtruar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, u shqyrtuan në seancën e Apelit më 31 janar 2023 dhe pas shqyrtimit të ankesave, lënda është kthyer në rigjykim.
“APROVOHEN SI TË BAZUARA ankesat e mbrojtësve të akuzuarve I.M- av. Mahmut Halimi, V.I, av. Betim Shala, N.G, av. DritonMusliu, N.B, av. Shyqyri Syla, Betim Sjmani, av. Imer Beka, S.S, av. Emrush Kastrati, A.I, av. Arbër Shala, ndërsa aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, PS.nr.22/2020 të datës 08.06.2022, ANULOHET dhe çështja i kthehet të njëjtës gjykatë për rigjykim dhe rivendosje.”, thuhet në vendimin e Apelit.
Ndërsa, ankesa e Prokurorisë për vendim mbi dënimin, si dhe ato të mbrojtëseve të të akuzuarve për konstatimin e gabuar dhe jo të plotë gjendjes faktike, shkeljen e Ligjit Penal dhe vendimit mbi dënimin, konsiderohen jolëndore.
Në vendimin e Apelit, thuhet se Themelorja është përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, dispozita të cilat edhe kushtëzojnë anulimin e aktgjykimit të ankimuar.
Kolegji i gjyqtarëve të Apelit, gjithashtu ka gjetur se Themelorja nuk ka vendosur në tërësi për aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, pasi që në aktgjykim nuk është vendosur për veprën penale “Tregti e ndaluar” lidhur me atë nëse të akuzuarit dënohen, lirohen nga akuza apo të refuzohet akuza për këtë vepër penale ndaj tyre.
“Kolegji arriti në përfundim se aktgjykimi i ankimuar përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale të përcaktuara nga neni 384 par.1.7 lidhur me nenit 365 dhe 370 par.6 dhe7 të KPP-së, nuk është përpiluar në kuptim të dispozitës se lartcituara, në rigjykim gjykata e shkallës së parë të kujdeset që të vendos për tërë objektin e aktakuzës respektivisht për veprat penale për të cilat prokurori i shtetit ka mbetur në fjalën përfundimtare dhe ka propozuar që të akuzuarit të shpallen fajtor pasi janë objekt i vendosjes dhe vlerësimit të gjykatës”, thuhet në vendim.
Në fund, Apeli ka sqaruar se ankesa e PSRK-së ndaj aktgjykimit të Themelores lidhur me vendimin për lartësinë e dënimit për këtë gjykatë, është jolëndore.
Ndryshe, më 27 maj 2022, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), kishte rikualifikuar veprën penale nga krimi i organizuar në kryerjen e veprave penale kontrabandë me armë dhe tregti e ndaluar në bashkëkryerje.
Në këtë rast ka qenë i akuzuar edhe F.H, por ndaj tij ka pushuar procedura pasi që i njëjti ka ndërruar jetë.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), Izedin Mejzini, Vesat Imeri, Nexhip Gashi, Besim Sylejmani, Sylë Sulejmani, F.H. dhe Naim Abrashi, thuhet se nga periudha e panjohur kohore në vazhdimësi e deri më 21 mars 2019, duke vepruar si grup i organizuar kriminal, i udhëhequr nga të pandehurit Vesat Imeri dhe Izedin Mejzini, me qëllim të kryerjes së veprave penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve” dhe “Tregtia e ndaluar”, me role të ndara si anëtarë të grupit kriminal, kanë transportuar, ndërmjetësuar dhe shitur armë në mënyrë të paautorizuar dhe kanë blerë e shitur mallra, për të cilat nuk kanë pasur autorizim, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore të kundërligjshme.
Sipas PSRK-së, i pandehuri Vesat Imeri, fillimisht i ka siguruar 25 pako me armë të llojit Glock, Austria dhe Sig Suer, nga një person tani për tani i panjohur me nofkën “Doni”, të cilat i ka vendosur në njërën nga zyrat e lokalit të tij në Fushë-Kosovë si dhe disa pako me medikamente të llojeve të ndryshme, me përmbajtje të substancave narkotike (metamorfinë) si Tamol XX, të cilat i kanë siguruar të pandehurit Nexhip Gashi dhe Besim Sylejmani.
Prokuroria pretendon se pas disa ditësh, i pandehuri Vesat Imeri, sipas marrëveshjes e thërret të pandehurin F.H., punëtor në lokalin e tij në Fushë-Kosovë dhe i thotë që këto pako t’ia jepte personit që do të shkonte t’i merrte, ku edhe postieri i postës “Sim Logistik”, Milot Kukaj, pronar i së cilës është i pandehuri Izedin Mejzini, i kishte marrë këto pako dhe i kishte dërguar në objektin e “Sim Logistik”, në fshatin Mazgit, e pas kësaj të pandehurit Izedin Mejzini, Vesat Imeri dhe Nexhip Gashi, i kishin ndarë armët dhe medikamentet nëpër pako me qëllim të dërgimit në vende të ndryshme.
Sipas kësaj aktakuze, Besim Sylejmani fillimisht shkon në depon e “Sim Logistik”, me veturën e tij, ku nga i pandehuri Naim Abrashi, menaxher i kompanisë i merr disa pako dhe takohet me të pandehurin Sylë Sylejmani, në lagjen “Ulpiana”, të cilit ia jep një pako me medikamente dhe i fut në veturën e tij “Opel Corsa”, ku edhe janë ndarë, mirëpo duke qenë nën vëzhgim nga ana e Policisë së Kosovës, të pandehurit Besim dhe Sylë Sylejmani, në veturat e tyre u gjenden dhe konfiskohen pako me medikamente, e pastaj në garazhin e banesës së të pandehurit Besim në rrugën “Uran Ajeti” në lagjen Mati 1, i gjenden dhe konfiskohen edhe pako të tjera me medikamente.
Sipas Prokurorisë, gjatë kontrollimit në depon e “Sim Logistik” në Mazgit, gjenden dhe konfiskohen gjithsej 99 armë të llojit “Glock-Austria”, një sasi municioni, vlera e të cilave nuk dihet, si dhe një sasi medikamentesh, vlera e të cilave përfshirë edhe sasinë e konfiskuar të të pandehurit Besim dhe Sylë Sylejmani, është rreth 17 mijë euro.
Sipas aktit akuzues, po ashtu nga i pandehuri Armend Ilazi, të pandehurit Besim Sylejmani dhe Nexhip Gashi janë furnizuar me barna pa banderola, me qëllim që t’i shesin nëpër barnatore të ndryshme, në atë mënyrë që i dyshuar Armend Ilazi, barërat i ka siguruar nga Indire Mehmeti, farmaciste në barnatoren “Bio Pharm” në Ferizaj, e pastaj ua ka shpërndarë të pandehurve Besim dhe Nexhip, me këtë rast si pjesëmarrës të grupit kanë ushtruar veprimtari me qëllim të kryerjes së veprave penale për shkak të përftimit të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme.
PSRK-ja pretendon se i pandehuri Vesat Imeri gjatë muajit mars të vitit 2019, i ka siguruar në mënyrë të panjohur 25 pako me armë dhe barna dhe i ka vendosur në lokalin e tij në Fushë-Kosovë, e pastaj sipas kërkesës së tij, këto pako i pandehuri F.H. ia jep vozitësit të kompanisë “Sim Logistik”, Milot Kukaj, pronar i së cilës është i pandehuri Izedin Mejzini.
Gjithnjë sipas akuzës, më 10 dhe 15 mars 2019, të pandehurit Izedin Mejzini, Vesat Imeri, Nexhip Gashi dhe Naim Abrashi, pasi koordinohen mes vete, bëjnë ripaketimin e pakove të lartpërmendura duke i futur në pako armë dhe barna, në njërën nga zyrat e kompanisë “Sim Logistik”, me pronar Izedin Mejzinin, e në të cilën punon edhe i pandehuri Naim Abrashi, me qëllim të shpërndarjes së tyre.
Sipas kësaj aktakuze, më 21 mars 2019, i pandehuri Besim Sylejmani, i merr disa pako me barna të llojit Tamol XX në depon “Sim Logistik”, e pastaj takohet me të pandehurin Sylë Sylejmani, të cilit ia jep një pako me barna me qëllim të shitjes së tyre nëpër barnatore të ndryshme në Prishtinë, Ferizaj e vende të tjera, mirëpo pasi që të njëjtit ishin duke u vëzhguar nga ana e policisë janë arrestuar, ndërkaq gjatë kontrollit të banesave dhe automjeteve të tyre, janë gjetur sasi të konsiderueshme të barërave të lartpërmendura për shitjen e të cilave nuk kanë pasur autorizim.