Të gjithë përfaqësuesit e partive politike u bënë bashkë në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit.
Si rrallë herë, prezent ishin edhe nga Lista Serbe.
E kryetemë në këtë takim ishte ekspozita “Masakrat e Kosovës 1998-1999”, e cila pati gabime në përshkrimin e disa prej krimeve më të rënda serbe.
Keqardhje për atë që ndodhi, shprehu kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu.
“Pas këtij rasti, si Kryesi e Kuvendit do të marrim hapa për ndryshimin e rregullores ekzistuese me qëllim që të formojmë komisioni të posaçme profesionale që vlerësojnë kërkesa të tilla”, tha Haxhiu.
Megjithatë, Vlora Çitaku nga PDK, kishte një arsyetim në lidhje me votimin për financimin e kësaj ekspozite.
Çitaku tha se Kuvendi u manipulua qëllimshëm.
“Kjo është kërkesa që kemi pranuar ne. Ju lutem merrne, lexone. Kërkesa ka ardhur nga organizata Integra dhe kjo kërkesë është drejtuar kryetares së Kuvendit, e cila pastaj e ka ndarë me ne, ku kërkohet që të mbulohen një pjesë e shpenzimeve për ekspozitën që u mbajt në Prishtinë… Askund nuk figuron as në tekst dhe as në kërkesë emri i Shkëlzen Gashit dhe as organizatës së tij dhe as që ekspozita do të bëhet bazuar në librin e tij”, u shpreh ajo.
Kritika për ekspozitën pati edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
“E konsideroj si dështim të shtetit, një gabim i trajtimit të një pike dhe ekspozite me përmbajtje aq të dëmshme që krijoi dhimbje pa kurrfarë përgjegjësie. Janë marrë disa qëndrime, mirëpo ajo që e them me përgjegjësi të plotë, ky ka qenë një dështim shumë serioz dhe një lëshim shumë serioz për të cilin duhet të ketë hetim e trajtim institucional”, tha Besnik Tahiri.
Në mbledhjen e kryesisë së Kuvendit u diskutua edhe për tema të tjera.
Lidhja Demokratike e Kosovës kërkoi seancë të jashtëzakonshme për çmimin e lartë të naftës.
“Jemi të shqetësuar me qasjen e Qeverisë dhe mosmarrjen e asnjë mase për lehtësimin e jetës së qytetarëve. Kuvendi duhet të marrë rol mbikëqyrës në këtë rast dhe të miratojë rezolutë”, u shpreh Jehona Lushaku.
Ndërkaq u vendos që seanca e ardhshme e Kuvendit të mbahet të enjten më dy prill, me 14 pika në rendin e ditës.






