KRU “Prishtina” ka bërë thirrje për pagesën e rregullt të faturave të ujit, duke njoftuar se borxhi total ndaj kompanisë ka arritur në 45 milionë euro.
Përmes një reagimi publik, kjo kompani ka kërkuar më shumë përgjegjësi nga qytetarët, duke theksuar rëndësinë e pagesës së shërbimeve bazë për funksionimin e shtetit.
“Shteti mbahet duke paguar shërbimet bazë, siç është uji. Megjithatë, përballë një borxhi prej 45 milionë eurosh për këtë shërbim jetik, lind pyetja: çfarë po bëjmë ne? A do të vazhdojmë të presim duarkryq, apo do të marrim përgjegjësi si qytetarë?”, thuhet në reagimin e KRU Prishtina.
Sipas tyre, pagesa e rregullt e ujit nuk është vetëm obligim qytetar, por edhe kontribut i drejtpërdrejtë për një sistem funksional, furnizim të qëndrueshëm dhe një të ardhme më të sigurt për të gjithë.
“Është koha për veprim”, përfundon mesazhi i publikuar nga kompania në rrjetet sociale.







