Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, kryeparlamentari Glauk Konjufca, kryeministri, Albin Kurti, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj dhe delegacionet nga të dyja vendet kanë bërë homazhe në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
Presidentja Osmani tha se në këtë 15 vjetor të pavarësisë kujtojmë sakrificën e atyre që dhanë jetën në mënyrë që populli i Kosovës të jetojë i lirë dhe i pavarur.
“Jemi këtu për të nderuar sakrificën e familjes Jashari trimërinë dhe sakrificën e tyre, nëpërmjet të cilëve u vënë themelët e forta të shtetit tonë. Kurse pak më herët nderuam edhe presidentin historik, Ibrahim Rugova arkitektin e shtetit të Kosovës, veprimtarin Adem Demaçi. Dhe natyrisht që bëmë nderime edhe te monumenti i të pagjeturve, për të kujtuar që plagët në Kosovë akoma janë të thella”, tha ajo.
Teksa theksoi se Kosova e ka vendin në rrugën euroatlantike dhe familja euroatlantike sipas saj, është vendi ku Kosova e ka dhe ku do ta gjejë vendin shumë shpejtë.
Kurse kryeministri Kurti, tha se Prekazi është kryeqyteti i kryengritjes shqiptare dhe se siç tha ai gjithmonë e kemi në mendje çmimin e lartë që kemi paguar për lirinë të cilën sot po e gëzojmë.
“Teksa festojmë dhe gëzohemi në këtë 15 vjetor të shpalljes së pavarësisë i kujtojmë me mall ata të cilët u sakrifikuan dhe dhanë jetën e tyrë për lirinë. Prishtina është kryeqyteti i Republikës, por Prekazi është kryeqyteti i kryengritjes shqiptare. Andaj ardhja jonë këtu në këtë ditë kaq të rëndësishme për historinë tonë, tregon që rruga jonë gjithmonë e ka në mendje çmimin e lartë që kemi paguar për lirinë që po e gëzojmë”, tha Kurti.
Në anën tjetër, kryeparlamentari Konjufca tha se Pavarësia edhe liria jonë ka qenë e pamundshme pa luftën e lavdishme të UÇK-së.
“Pavarësia edhe liria jonë ka qenë e pamundshme pa luftën e lavdishme të UÇK-së, e momenti më i lavdishëm ka qenë lufta e Jasharëve, lufta e Prekazit kundër Serbisë për çlirim, dhe flijimi i familjes Jashari. Sakrifica e Jasharëve e ka ngritë në një dimension tjetër kombin shqiptar por edhe e ka zgju botën, e ka tronditë ndërgjegjen ndërkombëtare dhe prej atij momenti nuk ka pas askush dyshim që liria për popullin shqiptar dhe liria e Kosovës është e pashmangshme. Prandaj gjithmonë do të vijmë këtu dhe të përulemi para kësaj sakrifice madhështore që do të kujtohet prej brezave që do të vijnë”, tha Konjufca.
Teksa presidenti i Shqipërisë Begaj tha se rrugëtimi euroatlantik për Kosovën është përpara neve.
“Kemi parë lindjen dhe rritjen e shtetit të Kosovës, besoj se rrugëtimi euroatlantik është përpara neve”, tha ai./teve1.info./