Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi sot ka bërë homazhe te varri i heroit Afrim Bunjaku në njëvjetorin e rënies së tij.
Krasniqi ka thënë se guximi vetëmohues i Afrim Bunjakut në shërbim të atdheut, ka gdhendur përgjithmonë emrin e tij në zemrat e popullit të Kosovës.
“Afrimi, më shumë se zyrtar i Policisë së Kosovës, ishte një simbol i guximit, nderit dhe besnikërisë së palëkundur ndaj atdheut. Përballë rrezikut kundër terroristëve në Banjskë, ai qëndroi i vendosur për të mbrojtur tokën për të cilën kanë rënë mijëra dëshmorë ndër breza”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
Derisa, Krasniqi tha se Serbia duhet të detyrohet që t`i dorëzojë kriminelët serbë për të dhënë llogari para drejtësisë së Kosovës.
“Në njëvjetorin e këtij sulmi terrorist mbi shtetin e Kosovës, tashmë edhe pas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Kosovës, edhe me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtare, Serbia duhet të detyrohet që t’i dorëzojë kriminelët serbë që kanë gjetur strehim atje, për të dhënë llogari para drejtësisë sonë”, shtoi Krasniqi./teve1.info/