Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se raporti për lirinë e medies për këtë vit është më negativi ndonjëherë për Kosovën.
Sipas tij, presioni në rritje i Qeverisë ndaj medieve dhe shenjëstrimi ndaj gazetarëve është kërcënim në rritje për lirinë e shtypi dhe fjalës së lirë.
“Këtë vit, Kosova ka humbur 19 vende në Indeksin e Lirisë së Shtypit, në raportin e përpiluar nga organizata “Reporterët Pa Kufij” – vlerësimi më negativ ndonjëherë! Presioni në rritje i Qeverisë ndaj mediave të pavarura dhe shënjestrimi i gazetarëve të vendit tonë është kërcënim në rritje për lirinë e shtypit dhe fjalës së lirë”, ka shkruar Krasniqi në Facebook, përcjell teve1.info
Ai ka thënë se duhet të jetë prioritet krijimi i një ambienti të sigurt dhe kushte më të mirë të punës për gazetarët, ndërsa i ka bërë thirrje Qeverisë që të ndërpresë përndjekjen e gazetarëve dhe medieve të lira.
“Gazetarët në Kosovë janë më shumë se vetëm ofrues të lajmeve; ata janë mbrojtës të së vërtetës dhe drejtësisë, shpesh duke vënë në rrezik mirëqenien e tyre. Sigurimi i një ambienti të sigurt, të dinjitetshëm dhe me kushte më të mira të punës për ta duhet të jetë prioritet. I bëjë thirrje Qeverisë që të ndërpres cënimin dhe përndjekjen e gazetarëve dhe mediave të lira të vendit tonë. Gazetarët duhet të vazhdojnë të punojnë pa frikën e hakmarrjes, censurës ose persekutimit”, ka shkruar Krasniqi.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), ka thënë se Kosova ka shënuar regres alarmant për 19 vende në Indeksin e Reporterëve pa Kufij.
“Kosova shënon regres alarmant për 19 vende në Indeksin e Reporterëve Pa Kufij. Publikimi i indeksit vjetor për lirinë e medies nga Reporters sans frontières / Reporters Without Borders / RSF, Reporterët Pa Kufij e rendit Kosovën në vendin e 75 në botë, 19 vende më poshtë sesa vitin e kaluar kur renditej në pozitën e 56”, thuhet në postimin e AGK-së.