Partia Socialdemokrate ka vendosur një baner të kryeministrit, Albin Kurti, me hundën e “Pinokios”. E për këtë, anëtari i kryesisë së kësaj partie, Frashër Krasniqi, deklaroi se Kurti ka thyer të gjitha premtimet me të cilat ka ardhur në pushtet.
“Të gjithë e dinë që Albin Kurti ka ardhur në pushtet, duke thënë që dialogu është prioriteti i tij i nëntë. Albin Kurti ka ardhur në pushtet duke thënë që nuk shkon fare në negociata pa njohjen e Serbisë. Pastaj, ka shkuar në negociata duke thënë që i ka katër kushte. Më vonë ka thënë që do e bëjë Asociacionin, por me gjashtë kushte, e sot as nuk diskutohen më gjashtë kushtet. Ndërsa, pak më herët, Kurti tha se ka Asociacion. E po të ishte Albin Kurti me të vërtetë figura e Pinokios, sot hundën do e kishte shumë më të gjatë, sesa kjo që e kemi bërë ne. E shkurtër është kjo hundë, për çfarë rrenci e mashtruesi i madh është Albin Kurti”, deklaroi Krasniqi në emisionin “Info Nata” në Tëvë1.
E sa i përket marrëveshjes së Ohrit, Krasniqi tha se tani nuk vlen fare vendimi i vjetër i Gjykatës Kushtetuese për çështjen e Asociacionit.
Ndërkaq, në disa lokacione të ndryshme, PSD vendosi baner me figurën e kryeministrit Albin Kurti, me hundën e “Pinokios”, një personazh i njohur i filmave vizatimor që aty njihet për gënjeshtar, të cilit i zgjatet hunda sa herë që gënjen.
Këto banera janë vendosur si thirrje dhe njoftim për mbajtjen e protestës kundër Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Protesta e thirrur nga PSD pritet të mbahet të shtunën, në sheshet kryesore të Prishtinës./teve1.info/.







