Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi i ka bërë thirrje kryesuesit të seancës, Avni Dehari të thërrasë sa më shpejtë seancën e radhës.
Krasniqi në një reagim në Facebook pas publikimit të plotë të aktgjykimit nga Gjykata Kushtetuese, ka thënë se Kosova ka nevojë për institucione funksionale.
“Seancat e Kuvendit nga 27 qershori deri më 26 korrik 2025 janë shpallur të pavlefshme nga Gjykata Kushtetuese, për shkak të veprimeve kundër kushtetuese të Kryesuesit të Seancës Konstituive. Ndërkohë, Kryesuesi është i detyruar të vazhdojë procedurat për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit – me votim të hapur. Ky është një vendim i prerë dhe i detyrueshëm dhe nuk ka më hapësirë për vonesa e as për interpretime. I bëj thirrje Kryesuesit që ta thërrasë sa më shpejt seancën e radhës, në përputhje me Kushtetutën dhe aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese. Kosova ka nevojë për institucione funksionale, jo për zvarritje. Çdo ditë vonesë është dëm për qytetarët dhe për shtetin”, ka shkruar Krasniqi.