Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka uruar gazetarët për Ditën Botërore së Lirisë së Shtypit, teksa ka thënë që të mos ndalen në misionin e tyre të shenjtë, pavarësisht se cila është ajo.
Krasniqi ka thënë se Kosova është vend më i mirë, më i lirë dhe më demokratik falë angazhimit e luftës së gazetarëve, raporton teve1.info
“Para se gjithash, faleminderit! Faleminderit për punën, përkushtimin dhe profesionalizimin – në promovimin e demokracisë, llogaridhënies dhe transparencës. Kosova është vend më i mirë, më i lirë dhe më demokratik falë angazhimit dhe luftës të përditshme që ju bëni për të vërtetën, pavarësisht se cila është ajo”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
Ndër të tjerash, Krasniqi theksoi se 3 Maji është një ditë ku duhet të rikujtojmë sfidat me të cilat përballemi akoma në Kosovë.
“Gjithsesi, sot, është edhe një ditë ku ne duhet të rikujtojmë sfidat e shumta me të cilat përballeni akoma në Kosovë dhe bashkë, si shoqëri dhe si shtet, të zotohemi që të jemi krah jush në secilin hap, në mënyrë që t’i evitojmë ato. Urime dhe mos u ndalni në misionin tuaj të shenjtë!”, deklaroi ai.
Ndryshe, 3 Maji shënohet në të gjithë botën si Dita Botërore e Lirisë së Shtypit. Kjo ditë është caktuar që nga viti 1993 nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara. Në Kosovë kjo ditë do të shënohet me aktivitete të ndryshme./teve1.info