Siç theksoi Krasniqi, “Ushtria Çlirimtare e Kosovës është dhe do të mbetet gjithmonë krenaria jonë kombëtare”, përcjell teve1.info
“’Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e drejtë, e pashmangshme dhe e domosdoshme’. Këto fjalë të Salih Mustafës – Calit para trupit gjykues janë fjalët e secilit prej nesh që kemi përjetuar pushtimin e egër të Serbisë. Janë realiteti i historisë së Kosovës, të cilën asnjë përpjekje nuk mund ta ndryshoj e ta rishkruaj. Mbi një shekull pushtim, dhunë, agresion e mohim i çdo të drejte njerëzore, të përjetuara nga dhjetëra breza të popullit tonë, që kulmuan me gjenocidin e viteve 1998-1999, kanë qenë çmimi i lirisë që e kemi sot”, ka shkruar ai në Facebook.
Krasniqi shtoi se dënimi i sotëm i Mustafës, është dënim i rëndë që nxitë indinjatë te secili shqiptar.
“Pjesë qendrore e kësaj historie krenare, të cilën nuk mund ta ndryshojë asnjëherë askush, janë çlirimtarët që po mbahen në Gjykatën Speciale pa të drejtë. Dënimi i sotëm Salih Mustafës, i tillë si u kumtua, është dënim i rëndë që nxitë indinjatë tek secili shqiptar. Ky vendim i sotëm, shpresojmë se do të korrigjohet në shkallën e dytë, për të dëshmuar seriozitetin dhe paanshmërinë e Gjykatës. Drejtësisë i kemi besuar gjithmonë dhe drejtësia, pashmangshëm, herëdokur, duhet dhe do ta gjejë rrugën e vet të vërtetë”, ka deklaruar ai. /Teve1.info/