Partia Demokratike e Kosovës sonte në kryeqytet ka hap fushatën zgjedhore për zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Kryetari i kësaj partie, Memli Krasniqi tha se degradimi i raporteve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës i konvenon vetëm kundërshtarëve të Kosovë.
Sipas tij ditëve të fundit janë parë zhvillime që nuk i bëjnë nder Kosovës dhe sjellin dëme të pariparueshme për shtetin.
“Ditëve të fundit kemi parë zhvillime që nuk i bëjnë nder Kosovës tonë, veprime që po i sjellin dëme të pariparueshme shtetit për të cilin kanë sakrifikuar gjenerata të shumta, degradimi i raporteve tona me SHBA i konvenon vetëm kundërshtarëve të Kosovës, por kjo është dëshmia se ku shkon vendi kur qeverisja zgjidh konfliktin mbi bashkëpunimin dhe popullizmin mbi përgjegjësinë. Andaj, edhe sonte ftoj që të bëhemi bashkë rreth një vizion për një shtet që zhvillohet edhe ec përpara dhe nuk jeton nga kriza në krizë, ku qytetarët kanë perspektiv dhe siguri dhe ku politika e parullave merr fund përgjithmonë“, theksoi Krasniqi.
Në hapjen e fushatës elektorale i pari i PDK-së tha se modeli i kwsaj partie është qeverisja që kryen punë që e mban fjalën dhe që u shërben qytetarëve pa dallim.
Edhe në këtë nisje të fushatës zgjedhore, kreu i Partisë Demokratike të Kosovës shprehu besimin që krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovë do ta fitojnë betejën në Hagë dhe do të kthehen shpejt në Kosovë.
Ai theksoi se në zgjedhjet komunale të 12 tetorit garojnë me kandidatë e programet më të mira.
“Presim fitore në këto zgjedhje sepse i kemi kandidatët dhe programet më të mira, ndërsa nga takimet që kemi pas çdo ditë në kryeqytet dhe nga kjo energji e jashtëzakonshme që e po e ndjej sonte në sheshin Skënderbeu po shihet qartw se është koha edhe për Prishtinën, është koha për Uranin…si popull e si shtet presim edhe një fitore tjerë fitore të drejtësisë në Hagë për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin dhe shokët e tyre…shpreh besim e plotë se çlirimtarët do t’i kemi së shpejti të lirë në Kosovën tonë“, tha ai.
I pari i PDK-së para prishtinasve tha se për kandidatin kësaj partie për kryeqytetin Uran Ismailin, Prishtina nuk është opsion rezervë, por është e para dhe e vetmja.
Ai deklaroi se Prishtina ka pritur mjaftë dhe se është koha të udhëhiqet nga dikush që e do me zemër.
“Mjaftë ka pritur Prishtina, mjaftë ka provuar Prishtina ka ardhur koha të udhëhiqet ky qytet prej dikujt që e do me zemër dhe që dinë si ta ndryshojw për të mirë, prej dikujt që nuk është as mysafir as kalimtarë…Për Uranin Prishtina nuk është opsion rezervë, Prishtina është e para dhe e vetmja prandaj këtë vit e kemi parë krejt është një momentum i ri në kryeqytet, Prishtina po e dëgjon Uranin po e mbështet atë, po beson tek vizioni i tij, tek zgjidhjet konkrete për problemet e qytetarëve dhe familjeve të Prishtinës”, shtoi Krasniqi.
Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili tha se tani është koha për Prishtinën dhe gara për kryeqytetin është e optimizmit, e shpresës dhe projekteve të qarta.
Ai tha se nëse nuk arrin t’i përmbush 90% të premtimeve të tij në mandatin e parë nuk do t’i hyjë garës për kryetar në mandatin e dytë.
“Momente kthese për të ardhmen e qytetit tonë, t’iu shoh kaq shumë këtu të bashkuar rreth idesë së një qyteti që funksionon me jetë më të mirë për të gjithë më mbush me shpresë e vendosmëri për kauzën tonë…Gara jonë është garë e optimizmit, është garë e shpresës, përvojës dhe qëllimeve e projekteve të qarta atyre projekteve që përmirësojnë jetën në çdo lagje. Nuk është garë e arsyetimeve dhe mos punës është garë e një ekipi të kandidatëve, e një ekipi të vullnetarëve që e duan me gjithë zemër Prishtinën…nuk është koha me pranu mashtrimin dhe konfliktin është koha mu ngrit në këmbë është koha me besu, është koha me i largu paragjykimet dhe dyshimet, është koha me pa qytetarin në sy dhe me i tregu që koha e tij po vjen, koha për qytetin tonë, e fëmijëve tanë me zë të qartë me zemër plotë me shkëndijë në sy me shpërnda mesazhin koha për Prishtinë po vjen.. nuk do t’i fshihem përgjegjësisë nëse nuk e realizoj 90% të premtimeve të mija nuk do të kandidoj për një mandat të dytë këtë e them me bindje të plotë”, tha ai.
Ismaili kritikoi qeverisjen aktuale të Prishtinës duke thënë se në katër vitet e fundit kryeqyteti është në kaos.
“Në katër vitet e fundit e kemi parë që Prishtina është në kaos, për shkak të një kryetari që erdhi nga jashtë e tentonte me shkop magjik me premtime të mëdha për këtë qytet po na e degradoj Prishtinën dhe na e mbyti shpresën. Ku mbetën ata ishujt urban”, shtoi Ismaili.
Në zgjedhjet lokale të 12 tetorit Partia Demokratike e Kosovës ka numrin 191.