Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se anëtarët e grupeve iniciues për shkarkimin e kryetarëve në tri komunat veriore, Leposaviq, Zubin Potok e Mitrovicë e Veriut, janë votues në këto komuna.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë se për këtë i kanë njoftuar kryesuesit e tri komunave.
Ai ka thënë se grupet incizuese përbëhen nga tre veta.
“Së pari, nga verifikimet, KQZ përmes këtyre përgjigjeve të ndara, ka njoftuar se anëtarët e tri grupeve nismëtare, të cilët janë nga tre anëtarë për secilën komunë, janë votues të komunave përkatëse. ”, ka thënë Elezi, përcjell teve1.info
Ai poashtu bërë të ditur se këto grupe iniciuese, tri Kuvendet Komunale dhe MAPL janë njoftuar për listën e përditësuar të votueseve nga të cilat llogarite edhe numri i nënshkrimeve prej 20% të trupës elektorale për nënshkrime të peticionit.
“KQZ ka njoftuar kryesuesit e tri kuvendeve komunale, tri grupet nismëtare dhe MAPL-në edhe lidhur me numrin e përditësuar të votuesve të regjistruar në këto komuna, mbi bazën e të cilit përllogaritet numri minimal i nevojshëm i nënshkrimeve prej 20%”.“Numri i përgjithshëm i qytetarëve me të drejtë vote në komunën e Leposaviqit është: 13 441. Nga ky numër, 2 689 përbëjnë 20% të trupës elektorale në këtë komunë. Në komunën e Zubin Potokut, numri i qytetarëve me të drejtë vote është: 6 732. 20% i votuesve në këtë komunë është: 1 347. Në komunën e Mitrovicës së Veriut, numri i votuesve është: 18 199. Sipas përllogaritjeve, 3 640 votues përbëjnë 20% të trupës elektorale”, ka thënë Elezi.
Qeveria e Kosovës në shtator hartuar Udhëzimin Administrativ për shkarkimin e kryetarëve të komunave për peticionit nga qytetarët.
Ky veprim ishte bërë pasi serbët në veri nuk kishin pranuar kryetarët e zgjedhur shqiptarë në zgjedhjet të cilat u bojkotuan nga serbët lokal në veri.
Betimi i kryetarëve në katër komunat veriore, kishte nxitur trazira e dhunë në veri.
Bashkimi Evropian kishte vendosur masa ndaj Kosovës pas këtyre trazirave, duke e fajësaur se nuk kishte marrë hapa për depërshkallëzimin e situatës e mos dëgjuar thirrje e BE-së e ShBA-së për zgjedhje të reja.
Qeveria e Kosovës kishte thënë se është e gatshme të organizojë zgjedhje në këto komuna, por duke refuzuar se mund t’i detyrojë kryetarët e zgjedhur të japin dorëheqje.