Kombëtarja U21 e Kosovës në futboll, ka filluar me përgatitjet për ciklin kualifikues të Kampionatit Evropian, të cilin e nis këtë javë.
“Dardanët” e rinj, këtë muaj i luajnë dy ndeshjet e para kualifikuese, me Rumaninë dhe Spanjën.
Ndeshjen e parë, Kosova U21 e luan më 5 shtator në udhëtim kundër Rumanisë kurse katër ditë më vonë, në Prishtinë e presin Spanjën.
Selektori i Kosovës U21, Afrim Tovërlani ka thënë se ekipi është i vetëdijshëm për rëndësinë dhe vështirësinë e këtyre përballjeve.
“Janë dy kundërshtarë shumë të fortë dhe ndeshje të vështira, por ne duhet të japim maksimumin për të arritur rezultat pozitiv”.
Sipas Tovërlanit, ndryshime në formacion nuk priten, por dy futbollistë kanë telashe me lëndimet dhe mbetet të shihet nëse do të rikuperohen.
Për dallim prej selektorit Tovërlani, futbollisti Diar Vokrri shtoi se fokusi është te ndeshja me Rumaninë, në të cilën synojnë rezultat pozitiv.
Ndërkohë, mesfushori Igball Jashari është i bindur se jo vetëm me Rumaninë, por edhe me Spanjën, do të dalin me rezultate pozitive.