Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës ka akuzuar Ministrinë e Tregtisë së ka sponzoriuzar revistën franceze e cila në sesionin vjeshtor ka portretizuar Kosovën si “djep i Serbisë”.
Tahiri deklaroi sa në këtë revistë thuhet se “Kosova ka qenë një tokë bizantine, ku linden Manastiret madhështor të Kishës Ortodokse Serbe”.
“Një fjali epike në faqen 94 të revistës Petit Fute Magazine, sesioni vjeshtor, 2022, e sponzoruar nga Ministrja Rozeta Hajdari, me paratë e taksapaguesve të Kosovës. Pra, tash doktrina serbe e portretizimit të Kosovës dhe trashëgimisë sonë kulturore e historike si “djep i Serbisë”, paguhet me taksa të qytetarëve tanë”, ka thënë Tahiri.
Sipas tij, ky është një prej skandaleve më të rënda që një ministre ka mundur t’i bëj Kosovës dhe dinjitetit tonë historik e kombëtar. Ai më tej tha se Kosova ka qenë nën sundimin bizantin, e pastaj edhe atë serb e osman gjatë mesjetës, por se s’ka qenë kurrë tokë e askujt, përveç shqiptarëve.
“Mund ta marr me mend se si ndjehen sot historianët, në punën e të cilëve nuk kujtohet të investojë kjo qeveri, kur shohin katandisjen që i bëhet paraqitjes dhe portretizimit të Kosovës në arenën ndërkombëtare”, ka thënë Tahiri.
Por ndaj deputetit të PDK-së ka reaguar Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, të cilin mund ta lexoni të plotë më poshtë.
Sqarim për publikun lidhur me publikimin dëmtues të Shtëpisë Botuese “Petit Fute” ndaj Republikës së Kosovës dhe shpifjeve të sotme nga Deputeti Abelard Tahiri në Seancën Parlamentare
Bashkëpunimi në mes ish Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë – KIESA dhe Shtëpisë Botuese “Petit Fute” ekziston që nga data 11 shkurt 2016, me nënshkrim të marrëveshjes në mes dy palëve për mbështetjen e hartimit, dizajnimit, shtypjes dhe publikimit të 1,500 kopjeve të broshurës për atraksionet turistike në Kosovë, të përshtatura për turistët francezë.
Në qeverisjen e tanishme, me datën 9 shkurt 2022, përmes një komunikimi zyrtar nga Shtëpia Botuese “Petit Fute” janë kontaktuar Departamenti i Industrisë dhe më pastaj KIESA, në lidhje me vazhdimin e bashkëpunimit për promovimin e kapaciteteve turistike të Kosovës në Francë.
KIESA ka vazhduar komunikimin direkt me Shtëpinë Botuese “Petit Fute” dhe ka konfirmuar marrëveshjen e bashkëpunimit për promovimin e aktiviteteve potenciale të turizmit në Kosovë.
Në komunikim me përfaqësuesit e Shtëpisë Botuese “Petit Fute” të datës 09.08.2022, KIESA ka dërguar dokumentin informues për potencialet e Republikës së Kosovës për tu publikuar në katalogun e ‘’Petit Fute”. Teksti i vetëm i dërguar nga KIESA tek shtëpia botuese “Petit Fute” është i hapur për publikun dhe nuk përmban asgjë nga shkrimet e publikuara në faqet 94 dhe 95 të katalogut të publikuar nga shtëpia botuese ‘’Petit Fute’’.
Me datën 18.08.2022, Shtëpia Botuese “Petit Fute” ka dërguar një verzion tjetër të dokumentit promovues të KIESA, për të cilin ka kërkuar komente. Me datën 19.08.2022, KIESA ka reaguar për draftin e ndryshuar tërësisht duke ia rikujtuar Shtëpisë Botuese që, materiali i dërguar nga “Petit Fute” nuk mbështetet aspak në tekstin e dërguar nga KIESA, si dhe ka ridërguar tekstin e njëjtë në bashkëngjitje të dërguar me herët me datën 09.08.2022.
Më 28.09.2022, KIESA ka refuzuar publikimin final të dokumentit në fjalë dhe iu ka kërkuar Shtëpisë Botuese “Petit Fute” që para çdo publikimi të ndonjë artikulli të merret aprovimi nga KIESA.
Përkundër kësaj, Shtëpia Botuese “Petit Fute” nuk ka dërguar artikullin me korrigjimet e nevojshme për aprovim dhe pagesë nga KIESA, ndonëse i ishte premtuar se teksti do të korrigjohet dhe editohet sipas tekstit origjinal të dërguar nga KIESA.
Në këtë rrethanë të krijuar në dëm të historisë sonë të lashtë kombëtare, me publikimin e Shtëpisë Botuese “Petit Fute” të pa aprovuar dhe pa paguar nga MINT- KIESA dhe duke shtrembëruar tërësisht historinë tonë kombëtare, përkundër kërkesës sonë për korrigjime dhe premtimit nga Shtëpia Botuese “Petit Fute”, për editim dhe dërgim për aprovim të tekstit nga KIESA, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë do të ndjekë rrugët ligjore për të adresuar dëmin e krijuar. /teve1.info/