Kombëtarja e Kosovës ka përmbyllur stërvitjen zyrtare në prag të finales së madhe të “play-off”-it kundër Turqisë, e cila zhvillohet nesër nga ora 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Dardanët u stërvitën me përkushtim maksimal, duke reflektuar fokus dhe vendosmëri për këtë përballje vendimtare, ku synohet suksesi historik, thuhet nga FFK.
Nën drejtimin e përzgjedhësit Franco Foda, futbollistët realizuan ushtrimet e parapara taktike, duke treguar gatishmëri të lartë fizike dhe psikologjike.
Atmosfera në Kombëtare është shumë pozitive, ndërsa besimi për paraqitje dinjitoze dhe përkrahja e jashtëzakonshme nga tifozët pritet të jenë shtysë shtesë për ekipin në këtë duel të rëndësishëm.
Selektori i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda ka thënë se gjasat janë të barabarta si për “Dardanët” ashtu edhe Turqinë në ndeshjen finale të “play-offit” që luhet të martën mbrëma në Prishtinë.
Foda është paraqitur në konferencën për shtyp, ku menjëherë do ta mbajë edhe stërvitjen para ndeshjes më të rëndësishme.
“Ekipi i Turqisë është shumë i fortë. Ka lojtarë individualë si Yildiz, Guler, Çalhanoglu. Ka shumë lojtarë kualitativë, por edhe ne kemi kualitet. Shanset janë 50-50, do të bëjmë të pamundurën, do të japim gjithçka që ta fitojmë ndeshjen”, ka thënë Foda. “Nuk mund të bëj parashikim sa do të zgjasë loja nesër. Ka mundësi të shkoi në 120 minuta dhe të ketë penallti. E rëndësishme që jemi të përgatitur për të gjithë skenarët”, tha ai.
Gjithashtu, Foda ka thënë se i njeh shumë mirë anët e forta dhe të dobëta të Turqisë.
“Nuk do ta zbuloj sot taktikën. E njohim anën e fortë, por edhe dobësitë e Turqisë. E rëndësishme që edhe nesër të performojmë me idetë tona. Ekipi i Turqisë është i fortë. E rëndësishme që të jemi kompakt. Me rëndësi është që kur ta kemi topin të kthehemi menjëherë në kundërsulm”, u shpreh ai.
Në konferencën për shtyp te Kosova krahas selektorit Franco Foda, është paraqitur edhe sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi, i cili do ta bartë shiritin e kapitenit.
“Gjithmonë them se nuk më intereson të shënoj shumë gola, përderisa fiton ekipi. Nuk më intereson aspak, shpresoj qe edhe nesër te mos shënoj, por vetëm të fitojmë …
Jo vetëm për mua, por për të gjithë shtetin, pas Pavarësisë mund të jetë lumturia më e madhe e shtetit tonë. Nesër besoj fuqishëm në fitore dhe shpresojmë ta arrijmë suksesin”, ka thënë Muriqi.




