Kosova do të jetë sërish nikoqire e e stërvitjes më të madhe ndërkombëtare në rajonin e Ballkanit Perëndimor “Defender Europe” për vitin 2025.
Zëdhënësja në Ministrinë e Mbrojtjes, Liridona Gashi e konfirmoi për teve1.info, derisa theksoi e Kosova nuk ishte përjashtuar as vitin e kaluar nga “Defender Europe”, vetëm se ishte anuluar.
“Kosova nuk është përjashtuar nga Defender as vitin e kaluar. Vetëm është anuluar DV DAY”, tha ajo.
Ndryshe, Ministria e Mbrojtjes e Kosovës dhe Forca e Sigurisë së Kosovës shpenzuan gati dy vite për t’u bërë gati për stërvitjen më të madhe të aleatëve të NATO-s në Ballkan, e njohur si “Defender Europe ‘23”.
Ani pse Kosova ishte një nga vendet nikoqire të kësaj stërvitjeje, ajo nuk mundi ta çonte deri në fund aktivitetin, pasi, më 30 maj, ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, tha se “për Kosovën, ato stërvitje kanë marrë fund”.
Ky është ndëshkimi i parë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndërmorën kundër Kosovës për, siç u tha, injorimin e këshillave të tyre për të shmangur rritjen e tensioneve në zonën veriore me shumicë serbe.
Teksa ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, kishte thënë se largimi i Kosovës nga ushtrimi evropian “Defender Europe2023” vitin e kaluar ka qenë pezullim dhe jo përjashtim.
Sipas tij, ky nuk mund të quhet përjashtim për faktin që ky ushtrim vazhdon çdo të dytin vit.
“Ka qenë ndërprerje, një lloj pezullimi, e thash pezullim për arsye se “Defender” nuk është një ushtrim që zhvillohet në një vit dhe përfundon aty, është ushtrim i përvitshëm, në vitet tek ky ushtrim realizohet në Evropën Juglindore dhe së shpejti do të jeni dëshmitarë që FSK do të marrë pjesë në muajt në vijim në konferencat planifikuese për “Defender Euorpe 2025”. Për atë nuk mund të themi përjashtim për shkak që është diçka që është vazhdimësi, është një pjesë e ushtrimit që është ndërprerë për shkak të situatës dhe ndoshta mospajtimeve mes Qeverisë së Kosovës dhe ShBA-së”, pati thënë Maqëdonci në Tëvë1./teve1.info./